Artisti i vetizoluar gjallëron galerinë “Pushkin”

21 Prill, 2020 - 12:50 pm



Kur një galeri në jug të Rusisë i kishte mbyllur dyert e saj për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes së koronavirusit, një artist kishte kërkuar që të vetizolohet në vend që të lërë vendin e tij të punës. Sergei Pronin posa kishte filluar punën si administrator në galerinë “Pushkin”, kur u mor vendimi edhe për mbylljen e institucioneve të tilla. Ai kishte kërkuar leje që të qëndronte dhe tani pikturon, fle, gatuan dhe bën ushtrime nën shoqërimin e një kanarine të quajtur Hertz.

“Unë pata një ide që do të ishte interesante që të qëndroja dhe të punoja një seri me piktura për vetë galerinë ‘Pushkin’”, ka thënë Pronin, 31-vjeçar, i cili që nga 28 marsi ka kaluar ditët e tij duke krijuar në një nga atraksionet kryesore në Zheleznovodsk, në regjionin Stavropol. Ai ka përfunduar pikturimin e një pjese të galerisë dhe tani është duke punuar në një vepër dedikuar poetit Alexander Pushkin, sipas të cilit ka marrë emrin galeria dhe shtatorja e të cilit zë një vend kryesor si kryevepër e ekspozitës kryesore, shkruan sot Koha Ditore.

“Në të ardhmen e afërt dëshiroj që të pikturoj Isadora Duncan duke vallëzuar në galeri”, ka thënë Pronin, duke iu referuar kohës kur balerina amerikane kishte performuar aty në fillim të vitit 1920.

Pronin, i cili bën ushtrime dhe akrobacione në një nga dhomat e shumta të Galerisë, ka thënë se po planifikon që të qëndrojë aty gjatë gjithë periudhës së karantinës, e cila në Rusi për momentin vlen deri më 30 prill.

Muzetë dhe galeritë kanë qenë në mesin e shumë atraksioneve dhe bizneseve që janë mbyllur për shkak të koronavirusit me 47 mijë e 121 raste dhe 405 vdekje të raportuara deri më tash në Rusi. / KultPlus.com

Të ngjajshme