10 Korrik, 2017 - 11:43 am
Në Gaziantep të Turqisë, që nga 3 korriku ka nis të mbahet festivali më i madh i akuarelit në botë.
‘Gaziantep Watercolor Festival’, ka mbledhë rreth vetës shumë artistë e dashamirë të artit nga e gjithë bota ndërsa në jurinë e këtij festivali përpos artistëve të tjerë nga bota ka qenë edhe artisti nga Kosova Besnik Xhemaili.
Për këtë gjë për KultPlus, ka njoftuar vetë artisti i cili ka thënë se përpos atij edhe Kosova është e privilegjuar në këtë aspekt, pasi që, në këtë festival përzgjidhen vetëm artistët e nivelit shumë serioz për të qenë juri.
“Përzgjedhja është bërë në bazë të nivelit të artistëve, pra kanë votuar një numër i madh i artistëve ndërkombëtar se kush duhet të jetë juri”, ka thënë Xhemaili për KultPlus.
Përpos Besnik Xhemailit nga Kosova pjesë e jurisë së këtij festivali janë edhe Linda Doll nga USA, Atanur Dogan nga Turqia dhe Kanada, Liu Yi nga Kina dhe Rick Huang nga Kina.
Festivali ‘Gaziantep Watercolor Festival’, vazhdon të mbahet në Turqi deri më datën 18 korrik./ KultPlus.com