Artisti që e portretizoi administratën e Trumpit si “Kabineti i Tmerreve” (VIDEO)

29 Tetor, 2018 - 10:00 am

Artisti gueril, Robbie Conal, është i njohur për krijimtarinë e tij që ngacmon politikanët amerikanë dhe kësaj radhe ai është fokusuar në administratën e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Ai në ciklin e tij ka përfshirë nga zëvendëspresidenti, Mike Pence, e deri tek këshilltarët, Steve Bannon dhe Kellyanne Conway.

Ekspozita e titulluar “Kabineti i Tmerreve” shfaq edhe veprat që artisti 74 vjeçar ka punuar nëpër rrugët e Los Anxhelosit, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.

“Veprat e mia ndodhen nëpër vende të ndryshme në mënyrë që njerëzit të hasin në to papritur gjatë jetës së tyre të përditshme dhe të mendojnë për këta njerëz që unë mendoj se kanë abuzuar me fuqinë e tyre dhe me emrin tonë”, ka thënë artisti Robbie Conal.

Artdashësja 68 vjeçare nga qyteti Los Anxhelos, Carole Patchett, ka thënë: “E gjithë puna e Robbies, shfaq djallëzinë prapa maskave shumë-shumë të holla që veshin njerëzit”.

Ekspozita do të mbahet e hapur deri më 8 dhjetor të këtij vitit në galerinë “Track 16” në Los Anxhelos dhe pastaj do të shfaqet edhe në Uashington të Shteteve të Bashkuara./ KultPlus.com

Të ngjajshme