Artisti Shkamb Jaka hap sonte ekspozitën e parë personale

13 Janar, 2020 - 11:35 am

Artisti Shkamb Jaka po vjen me ekspozitën e parë personale, shkruan KultPlus.

“DisDeKodim” është emri me të cilin Jaka e ka emërtuar punën e tij që po e përmbledhë përmes kësaj ekspozite.

Punimet e Jakës janë një ndërthurje e asaj që është natyrale, virtuale dhe të stadeve të ndryshme të mendjes. Me bashkimin e këtyre të triave, ai krijon disa rrugë të koduara që mund t’ju dërgojnë juve, si shikues, në vendet ku ai ka qenë mendërisht dhe fizikisht.

“I përballuar me kaosin dhe të gjitha problemet sociale të pashmangshme, inkorporimi i tyre është i pranishëm në punën time. Unë mundohem të eksploroj sjellje të ndryshme njerëzore, mënyra të të menduarit, të eksperimentoj me trurin dhe trupin, duke i thyer të gjitha këto në pjesë, duke i bërë ato të përshtaten së bashku , e pastaj duke i krahasuar ato me botën virtuale. Duke dematerializuar dhe rimaterializuar këto, vijnë vizualizimet se si do të duket piktura dhe çfarë do të përmbajë”, tregon Jaka për KultPlus.

Sipas tij, aranzhimi i objekteve abstrakte do ta fusë shikuesin në këtë hapësirë konfuzioni, kështu që ata duhet të bëjnë një dekodim të veprës për të përjetuar auren e plotë pas saj. E gjithë kjo deri më tani e ka shtyrë Jakën të mendoj se sa të ngjashëm janë realiteti dhe virtualiteti, megjithatë duke qenë shumë kontradiktorë.

Ekspozita do të hapet sonte, më 13 janar, në ora 19:00, tek Menza Ramiz Sadiku. / KultPlus.com

Të ngjajshme