24 Gusht, 2017 - 6:12 pm
Skulptori, Helidon Xhixha, i cili ka fituar duartrokitje ndërkombëtare për artin e tij abstrakt prej çeliku, thotë se ndërsa ai mbetet krenar për kombësinë, arti i vërtetë i kapërcen kufijtë kombëtarë
Nga Fatjona Mejdini
Skulptori i njohur, Helidon Xhixha është një prej shumë shqiptarëve që për ta bërë artin e tyre të njohur në botë- emigruan në Perëndim në fillim të viteve 1990. Megjithatë, për skulptorin që njihet më së shumti për krijimin e formave abstrakte prej çeliku të pandryshkshëm, “emigrant” nuk është fjala me të cilën ai preferon të përshkruhet. Me një karrierë ndërkombëtare mbi 25-vjeçare, Xhixha ka fituar reputacionin e njërit prej skulptorëve më interesantë të skenës bashkohore, pasi është kontraktuar të krijojë dizajne të ndryshme në Europë, Shtetet e Bashkuara, Amerikën Latine dhe Lindjen e Mesme.
I lindur në qytetin bregdetar të Durrësit nga një baba, i cili ishte gjithashtu një skulptor i njohur, ai e krahason udhëtimin e tij në Itali dhe më pas në botën e gjerë me atë të artistëve të shekullit të 19-të, të cilët iu drejtuan Parisit për të marrë përvojë dhe për të krijuar artin që u flet të gjithëve. “Nuk e kam parë kurrë veten time si një emigrant, por si dikush që e bëri diversitetin një burim dijeje, një koncept të cilin ende e aplikoj në jetën time të përditshme,” tha ai për BIRN përmes një interviste të shkruar. Ai thotë se arti i kapërcen kufijtë kulturorë dhe se origjina e një artisti nuk mund të bëhet justifikim për dështimin.
“Nuk do t’i përdorja kurrë rrënjët si justifikim për dështimet e mia, por gjithnjë do të jem krenar që jam shqiptar,” tha ai. Gjithsesi, mbi shpatullat e tij bie shpesh përgjegjësia e përfaqësimit të Shqipërisë, si një lloj ambasadori artistik nëpër botë. Në vitin 2016, ai prezantoi zyrtarisht Shqipërinë në Bienalen e Dizajnit të Londrës, ku fitoi Medaljen Publike për punën e tij. Tema e shfaqjes ishte “Utopia e Dizajnit”, ndërsa prezantimi i Xhixhës-“Bliss” ishte i frymëzuar nga nocioni i Qytetit Ideal të Platonit dhe imazhet e Rilindjes së qytetit, duke i sjellë ato në epokën moderne. “Jam përpjekur të eksploroj vlerën e komunitetit modern dhe me përfshirjen e kufirit europian në dizajn, shpresova të komentoj mbi krizën aktuale të emigracionit që po prek këtë kontinent,” tha Xhixha për BIRN. Vendosja e punës së tij në një kontekst social dhe politik është e rëndësishme për Xhixhën, ç’ka ai e bëri edhe me veprën “Iceberg” në Bienalen e Venecias në vitin 2015. Skulptura monumentale e çelikut notoi përmes kanaleve të Venecias si një ajsberg.
“Kjo mundësi e madhe më dha shansin që të nxjerr në pah çështjen e rënies së qytetit, për shkak të mbipopullimit dhe rritjes së trafikut njerëzor, po aq sa të jap një mesazh mbi ngrohjen globale,” tha ai. Si një moment të rëndësishëm në karrierën e tij, Xhixha theksoi gjithashtu ekspozitën e tij personale brenda mureve të Pietrasantës në Toskanë, ku ai përdori mermerin e famshëm të guroreve lokale për punën e tij, të njëjtin që përdorej dikur nga Mikelanxhelo.
Lidhja e tij me qytetin e Firences është e fortë, ku ekspozita e tij me 15 punime “At Random Order” është e shpërndarë nëpër qytet dhe në kopshtin Boboli. Ajo do të vazhdojë deri në fund të tetorit. Në këto skulptura, Xhixha eksploron idenë e kaosit dhe rregullit dhe se si këto koncepte janë prezantuar në filozofi, gjeometri dhe botën natyrale. Xhixha pranon se është një ëndërrimtar, që vazhdimisht lufton në bërjen e ëndrrave realitet, ndërsa shpreson që puna dhe karriera e tij të frymëzojë brezin e ri të artistëve. Ai beson se shumë artistë të rinj në Shqipëri kanë talent për ta bërë artin e tyre ndërkombëtar-por është në dorën e tyre që të përpiqen dhe dalin prej zonës së rehatisë. “Është e lehtë të gjesh justifikime se pse nuk përpiqesh të japësh më të mirën dhe të bëhesh i suksesshëm. Sekreti është të udhëtosh, të studiosh, të kuptosh se çfarë ndodh nëpër botë dhe të luash sipas rregullave të industrisë ndërkombëtare të artit,” tha ai BIRN.
Marrë nga BIRN