Artisti shqiptar ‘Miloti’, hapë ekspozitën me vepra të guximshme në Itali

30 Korrik, 2017 - 4:25 pm

Artisti shqiptar Alfred Mirashi ‘Miloti’ ka hapur ekspozitën “Know” “E di” në Bashkinë e qytetit Pietrasanta.

Me këtë ekspozitë artisti që prej vitesh jeton në Itali, ka hyrë edhe në guidën e artit të këtij qyteti me një vepër të guximshme “Primatus Petri” që është vendosur në hyrje të ndërtesës së bashkisë.

Ekspozita e artistit italo-shqiptar Miloti është çelur të premten më 28 korrik në hollin e bashkisë së qytetit dhe do të qëndrojë e hapur deri më 10 shtator. Kjo ekspozitë u çel në hollin e bashkisë së qytetit në prani të kryebashkiakut të Pietrasanta-s, Massimo Mallegni dhe artistëve të njohur italianë. Ekspozita e Alfred Mirashit Miloti përuron në mënyrë eksperimentale, një hapësirë të re ekspozuese në brendësi të ndërtesës publike të Pietrasanta-s.
Kryebashkiaku Mallegni është i interesuar për të zgjeruar hapësirat e ekspozitës, shprehet Alfred Mirashi, shkruan Shqiptarja.com. Ai ndihet i lumtur që vepra e tij është vendosur në brendësi dhe në pjesën e jashtme të këtij pallati që ka strehuar ndërkohë vepra të bukura e origjinale të realizuara nga Romano Cosci, Bozzetti di Botero, e më gjerë si dhe statuja e Shën Lucia-s, vepra që i administron vetë institucioni.

“Nuk është e lehtë të gjesh fjalë për të falënderuar kryetarin e bashkisë së Pietrasanta, Massimo Mallegni-n dhe stafin e tij në bashkinë e Pietrasanta-s, si dhe kuratoren e ekspozitës Fiammetta Galleni, artiste e lirë bashkëkohore. Kam shumë falënderime për këtë mikpritje të madhe dhe marrëveshje të rëndësishme, që të ekspozohen punët e mia më të fundit, në sallën e qytetit, ku janë ekspozuar edhe mjeshtrit e ‘900 –s. Një falënderim për të gjithë”, -thotë Miloti.
Kjo është hera e parë për artistin shqiptar që përmes ekspozitës të bëjë hapjen e dyerve të korridoreve madhështore të pallatit të qytetit Pietrasanta./ KultPlus.com

Të ngjajshme