9 Shkurt, 2022 - 11:04 pm
Era Berisha
Me ngjyra të mistershme, enigma të thurura përbrenda pikturave, fotografi poetike, instalacion reflektues, video komunikuese si dhe gjeometrinë e spërkatur gjithandej në katër mure, u shpalos ekspozita “Pasqyrë.Plotni.” e artistes Arlinda Hajrullahu me kurator Arbër Selmani, me ç’rast dimensionet e ndryshme të veprave unike erdhën fuqishëm përballë syve të publikut, sy këta të cilët u bënë pjesë e thellë e ekspozitës, për të takuar kështu gjysmën e shpirtit të tyre përbrenda një plotësie hyjnore, shkruan KultPlus.
Ende pa shënuar ora 19:00, artdashës të shumtë kishin mbushur hapësirën e ngrohtë të Galerisë së Fakultetit të Arteve. Ndërsa, për ata që vazhdimisht po hynin brenda një nga një, do të ishte piktura e titulluar ‘Mbahu fort’ e zhytur në ngjyra të errëta që shpërfaqte dorën e një gruaje, ajo që paralajmëronte të pranishmit për atë se çka do të pasonte tutje. Për atë ndjenjën që e shtrëngon fort intensitetin e ekspozitës; plotësia. E titulluar “Pasqyrë.Plotni.”, ekspozita erdhi në një formë krejtësisht të veçantë, formë kjo e cila ngërthen njeriun brenda ciklonit të ndjenjave të gjalla e të ndezura që papritmas flluskojnë brenda shpirtit të pranishëm.
Pas ca momentesh, hapjen e ekspozitës e bëri kuratori Arbër Selmani i cili tregon se ekspozita ka një poetikë brenda.
“Jam për herë të parë në rolin e kuratorit dhe jemi mundu që së bashku me Arlindën të sjellim një ekspozitë e cila ka mesazh, e cila ka poetikë brenda saj. Ka pasqyrë, ujë, video e mjete të ndryshme të cilat mund ti shihni brenda ekspozitës. Unë do doja që ju secili ta shijoni këtë ekspozitë sepse ju do ta shihni dhe do ta gjeni veten në të gjitha pikturat”, thotë Selmani.
Ndërsa, artistja Arlinda Hajrullahu i uroi mirëseardhjen të pranishmëve e njëkohësisht tregoi se kanë kaluar plot 10 vite që nga ekspozita e kaluar e saj.
“Unë do të doja të ju uroja mirëseardhjen. Prania e juaj këtu është mjaft shumë e rëndësishme për mua dhe njëkohësisht është një përkrahje morale që besoj më është dashur në këtë rikthim që nga ekspozita ime e kaluar personale, 10 vite më parë. Uroj që ti shijoni punimet, ta gjeni veten dhe të bëheni pjesë e tyre”, thotë Hajrullahu.
Për të vazhduar kështu pas pikturës së parë që solli njeriun ballë për ballë me veten nëpërmjet pasqyrës së vendosur mu në vend të fytyrës së gruas, ishin pikturat e tjera si: ‘Ti dhe unë’, ‘Dyer të mbyllura’, ‘Errët’, ‘Mburoja’, ‘Bashkëbisedë’ dhe ‘Rrënjët’, që po prisnin njerëzit t’i afroheshin atyre, për të parë e reflektuar atë që sytë e tyre, bota e tyre dhe emocionet e tyre shpalosnin para pikturave në një betejë personale që qetësisht zhvillohej ndërmjet. Pra, ishin pikturat e palëvizshme dhe njeriu i gjallë që futeshin brenda një komunikimi shpirtëror sa në një mënyrë flagrante po aq edhe të shkëlqyeshme.
Secila pikturë, secila figurë përbrenda pikturës, përmbante një pasqyrë, kjo për shkak të krijimit të një ndërveprimi me publikun, i cili po njëlloj si duart e spikatura në veprat artistike, ka ndjerë duart e artistes Hajrullahu, që herë anonin ka butësia e vrullshme e herë të tjera pushtonin ngjyrat e plasaritura bukur në krijimet e saj. Ndërkohë, ngjyrat e errëta ishin ato të cilat fshehtësisht mbizotëronin përgjatë ekspozitës si një zinxhir i pashkëputshëm i krijimit të një atmosfere që pa kushte përqafonte brendësinë e vërtetë të qenies njerëzore.
“Pasqyrë.Plotni.”, ekspozitë kjo që erdhi me ide të posaçme dhe të thella për publikun solli edhe inkuadrime të veçanta siç ishin: shkallët afër pikturës ‘Mburoja’ për të vënë akoma më shumë në pah lojën mjeshtërore të pikturës abstrakte, instalacioni me ç’rast e vetmja pikturë pa pasqyrë u vu në qendër të një pasqyre të mbushur me ujë e që ishte vendosur mu në tokë si një dalje e shquar e pikëllimit të pikturës jashtë mburojës së ngjyrës, si dhe kubi i vendosur në pjesën e parë të ekspozitës, kub ky lëvizës që shpalosi katër gjysmë portrete të cilat plotësoheshin kur të pranishmit afroheshin pranë për të parë veten e tyre si dhe për tu bërë pjesë e pandashme e portreteve që në pamje nuk ndërlidheshin me fytyrën përballë por kjo veçse ishte bërë tashmë individualiteti vetjak i kësaj ekspozite të rrallë.
Po ashtu, pjesa e dytë e ekspozitës e ndarë nga vetëm një mur në mes, shpërfaqi një atmosferë pothuajse më të qetë në përmbajtje por të njëjtë si koncept. Ajo që shihet së pari është një shkrim i vendosur në murin e bardhë, si një hyrje e rastësishme në ambientin tjetër. E përballë atij shkrimi, qëndronte edhe pyetja: ‘A nuk jemi secili pasqyrë e secilit?’, që duket se obligonte të pranishmit të rrinin pak më shumë minuta përballë saj, me ç’rast kështu përmbushej qëllimi i ekspozitës.
Ndërkaq, në qoshet e hapësirës së dytë të kësaj ekspozite ku në njërin kënd pareshtur luante videoja e realizuar nga Nok Selmani, nën meloditë e veprës ‘Maya’ të kompozitorit Librun Jupolli, shpalosi ekspozitën në një ambient tjetër; atë të natyrës së qetë e të mbushur me ndjenjën e të qënurit i plotësuar. Ndërsa këndi tjetër, një kënd që i ngjasonte këndit familjar, përmbante dy piktura nën titullin ‘Ambient 1&2’, të cilat përballë tyre të vendosura do i gjendeshin afër dy ulëse, në kuadër të një bashkëbisedimi mes të pranishmëve, të cilët do të shoqëroheshin nga një dritë e ngrohtë pranë tyre, për të mos i’u shkëputur asnjë çast ndenjës familjare, ajo që ndodhet në shtëpinë e gjithsecilit.
Kështu krejt në fund, veçantia e “Pasqyrë.Plotni”, në një heshtje totale që vështronte emocionet e ndjenjat e shprazura nga të pranishmit, erdhi nëpërmjet një pasqyre të vendosur horizontalisht në tokë, pasqyrë kjo që heshtazi shikonte pasionin për artin pamor, rëndësinë që ajo ka tek njeriu, udhëkryqin e punimeve që pikën e gjeti me një vështrim të papritur në pasqyrën e fundit; pasqyra e vetme e plotë.
Gjithashtu, për të treguar rreth bashkëpunimit të tyre, për KultPlus foli kuratori i ekspozitës, Arbër Selmani.
“Bashkëpunimi me artisten ka lindur nga vetë artistja e cila ka vendosur që të ketë një kurator për këtë ekspozitë, ku ajo i ka parë shkrimet e mia në rrjetet sociale, mënyrën se si unë i ndërtoj fjalitë dhe mënyrën se si unë shkruaj. Kemi dashur që ngadalë ta krijojmë konceptin kuratorial, i cili ka pasë disa elemente si pasqyra e uji, duke u lidhur kështu në titullin e ekspozitës ‘Pasqyrë.Plotni.’, sepse asnjë pasqyrë nuk është e plotë realisht, përveç njërës. Pastaj e kemi krijuar një video, një poezi, një kënd familjar duke bërë që ekspozita të përthekoj disa ambiente”, thotë Selmani.
Sipas tij, ideja ka qenë që njëri të gjejë veten tek tjetri dhe anasjelltas.
“Në psikologji thonë se ti je reflektimi i dikujt tjetër dhe ti je reflektimi i sjelljeve të dikujt tjetër, specifkisht sidomos kur e dashuron dikë ku është gjithmonë ajo energjia që ta dhuron një person dhe ti ia kthen. Pyetja e ekspozitës është ‘A nuk jemi ne secili pasqyrë e njëri-tjetrit?’, si për të mirë ashtu edhe për të keqe, mendoj se reflektojmë tek njëri-tjetri. Po më pëlqen shumë që ka kaq shumë interesim dhe se njerëzit dëshirojnë të dinë se çfarë po ndodh. Kubi në fakt më ka lënë më së shumti përshtypje sepse janë portrete gjysmake, duke parë gjysmën e fytyrës së dikujt tjetër dhe gjysmën e fytyrës tënde, andaj secili person është duke qenë edhe vetë artist, e kjo ka qenë qëllimi jonë”, përfundon Selmani për KultPlus.
Kurse, artistja Arlinda Hajrullahu, për KultPlus shpalosi përshtypjet e saj për këtë mbrëmje mjaft të bukur.
“Në rend të parë, në këtë kohë pandemie, po më vjen mirë që po shoh shumë njerëz që nuk i kam parë me vite. Po ndjehem e lehtësuar që veçse është bërë hapja e ekspozitës për arsye se është një punë disa vjeçare e cila u kurorëzua me këtë ekspozitë. Besoj që vizitorët do ta shijojnë e ta pëlqejnë sepse u ktheva me një ekspozitë personale pas 10 vitesh”, thotë Hajrullahu.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 23 shkurt 2022 në Galerinë e Fakultetit të Arteve. / KultPlus.com