10 Shtator, 2018 - 5:30 pm
Ajo është aq e vetëdijshme sa vetë emri i saj se çdo prezantim përpara publikut është më tepër se përgjegjësi dhe i është dashur plotë një vit intensiv punë për tu prezantuar me një ekspozitë të re.
Kur duhet se ka bërë një shkëputje me promovimin e veprave të saj, por jo me artin, Dije Bllaca, piktorja nga Kosova prezantohet fuqishëm duke sjellë një botë plotë ngjyra nëpërmjet pikturave që vijnë si një ftesë për të shijuar jetën nëpërmjet artit të ngjyrave, për të harruar realitetin ku jetojmë dhe punojmë qoftë dhe për pak çaste.
Plotë 20 vepra të krijuara gjatë këtij viti ka prezantuar piktorja Dije Bllaca, në ekspozitën e saj, titulluar “ Sinqeriteti mistik”. Ekspozita që u hap pak ditë më parë në Qendrën Informative Kulturore, në Shkup të Maqedonisë mblodhi në një mbrëmje miq të artistes, drejtues institucionesh kulturore atje dhe student të arteve.
Veprat e realizuara në akrilik dhe pëlhurë tërhoqën vëmendjen e pjesëmarrësve për larmishmërinë e ngjyrave dhe formave, ku bie në sy shpërthimi emocional i një bote shpirtërore mjaft të pasur që Bllacën e karakterizon.
Në hapje të ekspozitës drejtoresha e qendrës, Sermine Purrini, ftoi të gjithë pjesëmarrësit që të shijonin artin e Dije Bllacës, e cila di që të surprizojë publikun me prezantimet e saj.
Ndërsa, kuratorja e ekspozitës Vlora Demiri, një emër i njohur në botën e artit dhe kulturës në Shkup, u shpreh se çdo kush do të donte ta pyeste Dijen për veprat e saj, për emocionet që ajo përcjell, ku vihet re qartë se artistja nuk ka një apo disa ngjyra të preferuara, pasi ajo përdor një larmishmëri ngjyrash për të sjellë përpara publikut vepra të mira.
“Nëpërmjet veprave të mija në këtë prezantim të radhës kam dashur ti sjell publikut qetësi, paqe, art, për të harruar sadopak të përditshmen. Kam synuar që çdo kush që shikon pikturat e mija të humbas në një botë arti, të gjejë veten në ngjyra dhe forma, për tu shkëputur qoftë dhe për disa çaste nga realiteti ku jetojmë, tha Dije Bllaca, për KultPlus.
Pjesë e shoqërisë artistja nuk e shikon veten të shkëputur nga realiteti ndaj dhe thotë se koha ku po jetojmë, patjetër që ka një lloj ndikimi dhe kjo pasqyrohet në artin e saj, ndaj dhe në disa prej veprave vihet re një lloj shpërthimi, një lloj vullkani që herë herë bën presion për të dal në sipërfaqe duke reflektuar në ngjyra dhe forma.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Shkup deri më datë 16 shtator dhe më pas do të vijoj rrugëtimin e saj artistik në Gostivar.
Dije Bllaca, është një emër tashmë i konsoliduar në artin pamor shqiptar. Sot, një profesorë arti, pikture, ajo ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Gjermani, Austri, Argjentinë. Ka hapur ekspozita personale në Kosovë e Maqedoni, ndërsa është vlerësuar në vitin 2017 me çmimin “Zef Kolombi” në Ferizaj, dhe në vitin 2013 me çmimin “ Draudakum” në Maqedoni./ Erjola Azizolli /KultPlus.com