15 Gusht, 2019 - 5:56 pm
Flaka Haliti, një prej artisteve më të mira nga Kosova, është nominuar në listën e ngushtë për çmimin artistik Preis der Nationalgalerie.
Sonte do të hapet edhe zyrtarisht ekspozita e katër artistëve të nominuar. Krahas Halitit, të nominuar në çmim janë Pauline Curnier Jardin, Simon Fujiëara dhe Katja Novitskova.
Haliti, e lindur në vitin 1982 në Prishtinë, e krijon brenda kësaj ekspozite që mund t’i sjellë edhe çmimin e madh, një lokacion unik me instalacionin e saj. Piktura, mure ekspozuese dhe objekte të ndryshme rrëshqasin afër njëra tjetrës, me një robot të kaltër që i jep jetë instalacionit.
Koncepti lidhet edhe me kampin ushtarak dhe me gjërat e mbetura prej një kampi të tillë, shkruan KultPlus.
Puna e Halitit vjen nën titullin ‘Is it you, Joe?’.
Ekspozita do të hapet në Hamburger Bahnhof Berlin, dhe do të qëndrojë e hapur deri me 16 shkurt të vitit tjetër. Fituesi do të zgjedhet në një ceremoni me 12 shtator, nga një juri ndërkombëtare.
Flaka Haliti është një prej artisteve më aktive nga Kosova, e cila jeton në Gjermani por ekspozitat dhe paraqitjet i ka të shpeshta në shumë shtete. Ajo e përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venedikut në vitin 2015-të, ndërsa ka fituar edhe çmimin Ars Viva Prize, shkruan KultPlus.
Fituesit e këtij çmimi në të kaluarën janë Agnieszka Polska (2017), Anne Imhof (2015), Mariana Castillo Deball (2013), Cyprien Gaillard (2011), Omer Fast (2009), Ceal Floyer (2007), Monica Bonvicini (2005), Elmgreen & Dragset (2002) dhe Dirk Skreber (2000). / KultPlus.com