Artistja Lala Meredith-Vula sjellë fuqinë e vajzave të Ballkanit

9 Shkurt, 2019 - 9:58 am

“Mallkue qoftë patriarkati ynë”. Kjo shprehje lexohet në pankartën që mban në dorë një vajzë adoleshente nga Kosova në foton e realizuar Esterina Nora. Në Ballkan ndryshe nga shumë vende të tjera femrave u është dashur më shumë të përballen me patriarkatin. Një grup artistesh nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi do të sjellin rrugëtimin jo të lehtë të femrës shqiptare në ekspozitën “Fuqia e vajzave të Ballkanit”, që do të hapet më 11 shkurt në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në kryeministri.

Nën kurimin e artistes Lala Meredith Vula, do të shohim një histori të gruas ballkanase përmes fotografive. Një tjetër foto interesante është “E dashur melankoli” e realizuar nga Jovana Beloica. Fotografia me titull “Ana tjetër e bukurisë”, sjell tre femra në moshë që mbartin në fytyrë rrugën e tyre, realizuar nga Melida Mustafic. Nuk është hera e parë që problemet me të cilat përballet gruaja në vende të trazuara jepet përmes artit. Këndvështrimet artistike ndonjëherë e thonë më lehtë atë që mund të thuhen në konferenca të gjata grash.

Vetë kuratorja e kësaj ekspozite Lala Meredith Vula është e njohur për veprat artistike që kërkojnë të nxjerrin në pah fuqinë e gruas. Ekspozita Balkan Girl Power është rezultat i një iniciative rajonale (www.balkangirlpower.org) e realizuar nga pesë organizata të shoqërisë civile në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi dhe të udhëhequra nga Instituti për Kontratën Shoqërore.

Të ngjajshme