Artistja Majlinda Kelmendi hap ekspozitën personale në Mal të Zi

24 Qershor, 2023 - 6:24 pm

Artistja Majlinda Kelmendi ka hapur ekspozitën e saj personale ‘Algoritmi Simbolik’ në Mal të Zi, përcjell KultPlus.

Koncepti “Algoritmi Simbolik” lidhet me fushën e sigurisë së informacionit.

Artistja shpreh lidhjen e algoritmit simetrik me veprat e artit të cilat kanë lloje të ndryshme të kodimit dhe dekodimit.

“Në këtë kontekst, eksploroj koncepte të tilla si sekreti, fshehtësia dhe interpretimet e ndryshme të komunikimit dhe simboleve. Imazhet që përfaqësohen nëpërmjet simboleve, objekteve në ciklin Algoritmi Simbolik kanë qëllim për të shkaktuar refleksion dhe të nxisë diskutimin rreth aspekteve të ndjeshme të privatësisë dhe sigurisë në shoqërinë moderne të dixhitalizuar”, shprehet artistja Kelmendi.

Në hapjen e kësaj ekspozite foli edhe drejtori i Qendrës Kulturore Informative ‘Malësia’ në Tuz, Vasel Berishaj.

“Sonte e keni rastin të njiheni me krijimtarinë e artistes së njohur dhe bashkëkohore, Majlinda Kelmendi. Është e spikatur për punën multimediale, në sfondin e së cilës dominojnë, kryesisht, ndodhitë në sverat sociale, ekonomike, politike dhe historike, si në nivel lokal, ashtu edhe global”, u shpreh Berishaj.

Ekspozita është përkrahur nga MKRS dhe QKI “Malësia” Tuz, Mali i Zi dhe do të qëndrojë e hapur deri me datë 27 qershor./KultPlus.com

Të ngjajshme