11 Janar, 2018 - 8:56 pm
Mia Enell, artistja suedeze ka hapur sezonin e parë të 2018 me ekspozitën “Tani tani tani” në COD.
Enell prezantoi 22 punime në hollin protokollar të Kryeministrisë dhe në sallën “Tako Artistin”.
Ekspozita që gërsheton pikturën me vizatimin është kuruar nga Genti Gjikola dhe bën bashkë vepra që “përtej lehtësisë së dukshme dhe thjeshtësisë, shfaqin kompleksitetin e botës që Mia Enell kërkon të zbulojë”. Mia Enell lindi më 1967 në Goteborg të Suedisë.
Mia Enell foli për artin e saj, gjuhën e tij dhe komunikimin me publikun. “Nuk dua që puna ime të ketë të bëjë vetëm me një gjë. Nëse vepra kërkon qëllimisht të mos bjerë në sy dhe ka një fill humori, mundet që ajo të hedhë dritë mbi çështje madhore dhe jo thjesht një ide”,-u shpreh Enell.
Aktualisht jeton dhe punon në Nju Jork, SHBA. Enell përfundoi Shkollën e Artit Nyckelvikskolan në Stokholm (1987) dhe më pas Shkollën e Lartë Kombëtare të Arteve të Bukura në Paris, DNSAP (MFA), (1992).
Punët e saj janë prezantuar në shumë ekspozita kolektive e vetjake, në muze e galeri të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara dhe Europë. Veprat e Mia Enell gjenden në koleksione të mëdha ndërkombëtare dhe private, përfshirë L.A.C.M.A., Muzeun e Arteve në Los Anxheles; Koleksionin Borghese, Itali, Koleksionin Ahrenberg, Zvicër; Statens Konstråd – Agjencia Kombëtare e Artit Publik, Suedi; Fondin e Depozitave e Investimeve dhe FNAC – Fondin Kombëtar të Artit Bashkëkohor në Paris, Francë. / KultPlus.com