4 Gusht, 2020 - 1:24 pm
Arbër Selmani
I thotë vetes ‘fëmijë i Prishtinës’, por Zake Prelvukaj ka prejardhje të përzier, njëjtë sikur edhe pikturat plot abstraksionizëm, të cilët ajo i ka specialitet nga duart e saj të arta. Arti e thërret shpesh, pa ndonjë orar, dhe ajo i përvishet punës duke mos e lënë momentin të kalojë pa pikturuar.
“Gjyshi, Mehmet Brahim Prelvukaj, ka qenë këngëtar i njohur, tash do t’i kishte 121 vjet po të ishte gjallë. Ka ditë shkrim e lexim. Si fëmijë kam jetu në Gusi, por jemi ardhë herët në Prishtinë, së pari tek Kino Rinia. Gjyshi ka qenë intelektual i kohës, halla ime ka vizatu shumë shpesh lule. Vëllau, Musa Prelvukaj, është njëri prej vizatuesve më të mirë shqiptarë, prandaj unë gjithmonë në shpi e kam pasë një mësues, jam rritë në ambient artistik, ku ka pasur piktura, grafikë, vizatime”
“Baba, Zenel Prelvukaj, ka kry shkollë në Shkup, më pas ka ra në burg. Nana ime, Hajrije Ulaj Prelvukaj, ka ditë shkrim e lexim, dhe na ka mësu edhe neve fëmijëve. Ka vdekë 91 vjeçare. Unë kom qenë gjithmonë rebelja, vajza e babës. Me një vëlla dhe shumë motra, i kemi pasë secili karakteristikat e veçanta. Shembull, derisa motrat e mia bënin leksikone, që ishte trend në atë kohë, unë e bëja fletoren time, dhe e kisha leksikonin tim por krejt ndryshe, të mbuluar me ditar, poezi, vizatime, kollazhe e piktura. Unë kam qenë 4 vjeçe kur kom fillu me vizatu dhe i kam hiperbolizu gjanat të cilat pa vetëdije i kam absorbu. Nëse nuk më ka pëlqy dikush apo diçka, e kam pikturu si e kam pa në kokën time. Kam vizatu në çdo fletore të jetës sime”.
Zake Prelvukaj është një katalizator i energjisë, i artit. Një grua e cila reflekton dashuri, reflekton inspirim. Përherë me idenë që të sjellë diçka të re në art, ajo është inspiruar nga erotika, nga djersët e mashkullit, nga minatorët e ngujuar, nga trafikimi i vajzave në Kosovë, nga lufta e tmerrshme, nga aktualiteti, absorbimet e çdo momenti, nga rëniet dhe ngritjet. Thotë se kanë provuar ta rrënojnë, por është mjaftueshëm e fortë dhe kësisoj veç sa i japin më shumë shpirt që ajo të pikturojë. E takoj, çdoherë e zhytur me ngjyrat e saj. Një tregim i Prishtinës, Gusisë, Martinajve, Ulqinit, pikturës, seksit, jetës, liqenit, lumit, detit, bjeshkëve, fjalës e ndjeshmërisë, është ai për Zake Prelvukajn.
*
Piktorja Zake Prelvukaj, e lindur në vitin 1961, ka shumëçka për të treguar për veten, për artin e saj. Lëvizim nga shtëpia e saj, në atelie, dhe nga atelieja në shtëpi, duke tentuar të mos lëmë asnjë skutë të jetës së saj pa e vizituar qoftë edhe për pak.
“Familja ka lëvizë prej Martinajve në Gusi. Kur kanë ekzistu Marubët në Shkodër, në Gusi kanë qenë 2 fotografë, Foto Hoti dhe Foto Sulo, ndërsa ka qenë qyeti i vogël, me një shkollë të mrekullueshme, me kabinete, afër lumit, me fushë sportive dhe park me lule e pemë. Në Gusi, bukëpjekësin e shifshim si fëmijë, dhe unë e pikturova. Atëherë në Gusi ka pasë librari, kinema, të gjitha parametrat ishin për një qytet të madh, lumi ishte aty – fëmija mësonin notin, stadiumi poashtu. Asokohe, secila shtëpi në Gusi ka pasur lule dhe kopësht, sepse i kanë kushtuar shumë rëndësi gjelbërimit. Prej atje, vijmë në Prishtinë, në qendër të qytetit. Nana e baba kanë investu shumë në krejt neve fëmijëve. Isha në shkollën fillore ‘Meto Bajraktari’, i kam vizatu krejt muret e shkollës çka ka pasë, edhe atëkohë kam shkru shumë. Në Prishtinë, si 13 vjeçare nisa me qepje të kostumeve, në makinë, makina e qepjes e nënës sime, e quajtur Bagat Jadranka. Pak më vonë monta – montat atëherë kanë qenë ndryshe. I shifsha grekët që studiojshin në Prishtinë, e kqyrsha Sanremon, u inspirova shumë. Filloi një frymë e re e artit në Prishtinë. Në shkollë gjithmonë u zgjedhsha ma e mira në orën e artit. Banesën e kemi pasë te Grandi, me një ballkon prej ku shihej krejt Prishtina. Aty kanë qenë nejat më të mira në Prishtinë” më tregon Zakja.
Piktore e dalluar, Zake Prelvukaj gjithmonë e përmend faktin se ka shitur piktura e punime qysh prej një moshe të re, dhe kështu e ka mbajtur veten. Jeta ka lezet sipas saj edhe kur pavarësohesh. Zakja diplomon për pikturë në vitin 1991 në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ndërsa dy vjet më vonë fillon punën si docente në lëndën pikturë monumentale. Në vitin 1997 përfundon masterin ndërsa ajo çka do të pasojë më vonë është një ndërlidhje e bukur mes një femre plot zjarr krijues, akademisë dhe paletës së pikturës. Trekëndëshi ende jeton bukur dhe në simbiozë.
“Verës shkojshim në Mal të Zi, me familje. Në Prishtinë kur erdhëm, nisa me dëgju muzikën xhez, rock, në vitet e 80-ta kur ishte mrekullia e Kosovës. Dëgjojsha Led Zeppelin. Mbrëmjet ishin atraktive në Bororamiz, bile ishin edhe shpirtërore, njerëzit u njifshin mes vete. Baba jem thojke që ka qenë njëfarë sigurie – ke mujt me flejtë kudo. Si familje, kemi mbledhë e dokumentu shumë, e kemi ende ‘Pionierin’ e parë, poezitë e para të Esad Mekulit. Çdo gja që e kom lexu në ndërkohë jam mundu me e materializu në arte figurative dhe aplikative. E përfundova gjimnazin ‘Sami Frashëri’ dhe më pas i hyra Fakultetit Juridik, deri në vitin e tretë shkova. Profesor Kurteshi, i lëndës ‘Kushtetutë’ nuk ka pasë shumë flokë, dhe në një moment në provim atij i kapet një mizë. Unë për pak sekonda e vizatoj atë pamje, por ndjenja për pikturë dhe vizatim ishte ma e fortë se ndjenja për provim. Profesori e pa që unë po bëj diçka, dhe kur ia tregova vizatimin më pas, më urdhëroi në njëfarë forme që unë me shku në drejtimin e arteve” – Zakja më tregon, dhe si çdo histori tjetër e bukur edhe kjo e Zakës nuk ka kronologji sepse Zakja dhe oratoria e saj të përplasin nga një drejtim në tjetrin.
“Baba nuk ish kundër që unë me e regjistru artin, por thojke – krejt ju në shpi molera, edhe keni me mbetë rast social. Unë u largova prej Fakultetit Juridik për një kohë dhe shkova në Fakultetin e Arteve. Baba u friku pak, por unë ia dola. Këtu vjen më e fuqishmja, ajo ndeshja ime me vetveten. U pranova e para në listë, dhe mo nuk e tradhëtojsha vetveten, isha unë, Zakja e vërtetë. Profesorat më kanë përkrahë shumë, sepse veç një profesor i paditun mundet me qenë xheloz. Profesorat më kanë kqyrë si fëmiun e tyre. Kështu filluan ciklet e pikturave, shpërblimet e para, diplomimi im, dhe rrëmuja në Kosovë” vazhdon tutje rrëfimin e saj piktorja Zake Prelvukaj.
SOT E DI ÇKA ËSHTË LUMTURIA, SE TE UNË HEDH VALLE NGJYRA DHE VIJA – Këto vargje do t’i shkruante Zakja në momentin e pranimit në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, kur do të përplasej me emrat si Nysret Salihamixhiqi dhe Muslim Muliqi, të cilët janë shkaktarët që Zakja sot është ku është.
Mbesim edhe pak te familja e ngushtë e Zakes. Rexhë Meta Ulaj, familjar i nënës së Zakes, ka përkthyer Edit Durhamin. Fazli Ulaj, familjar, ka qenë i mrekullueshëm në mandolinë. Ky ka qenë mjek dhe ka studiuar mjekësinë dhe Ljublanë. Tezja e Zakes, 76 vjeçare, ka qenë profesoreshë në Shkollën Teknike në Prishtinë dhe drejtoreshë e Tjerrtores, juriste. Daja i madh i Zakes ka qenë deputet për pakica në Parlamentin e Malit të Zi, ndërsa daja i babait të Zakes ka qenë babai i Rexhep Qosjës. Daja i nënës, në anën tjetër, Isuf Balidemaj, ka qenë toger dhe mësues në kohën e Ahmet Zogut. Zakja e pranon që në të gjitha vijat, familja e saj ka prodhuar art e intelektualizëm dhe nuk kishte si të ishte ndryshe edhe me rastin e saj.
Për Zaken, ardhja në Prishtinë ishte hapja e dyerve profesionale ndaj botës artistike, të cilën Zakja e la që t’i futej brenda plotësisht dhe mrekullisht. Gjithmonë, Zakja ka qenë artiste revoltuese, dhe situata e krijuar në Kosovë në vitet e 90-ta e tutje ironikisht i ndihmoi Zakes që ajo të shpërthente.
“Jetojsha tek Grandi dhe e kisha Akademinë afër. Tek Grandi, banesa ka qenë e madhe, ka pasë dritë shumë. Aty ka jetu edhe Jelena Lakoviq – aktorja që luante me Faruk Begollin, dikush i bijke kitarës e dikush instrumenteve tjera. Me një fjalë, ajka e intelektualëve jetonin në atë ndërtesë. Motrat e mia i kanë ra mandolinës, kemi pasë edhe kitarë. Në katin e shtatë të banesës në Prishtinë ka qenë ajo që i thonim ‘veshernica’ – aty ku mblidheshin banorët, gratë kanë bo neja, ka qenë si terrasë e madhe dhe ku i kanë shtri teshat, aty ku është pjekë ajvari. Kur e bëje matematikën e artit, në atë kohë dilte veç një fjalë: revolta: arti po bëhej shumë i rryer e i goditur, me plot koncepte” tregon Zakja.
“Kur shkojshim në deti, e kqyrsha horizontin dhe mendojsha me i pru shkëmbinjtë më afër, në formën time. Si fëmijë, kam shitë portrete kshtu në deti, i shitsha 50 marka një portret. Prej 13 vjeç e kam mbajtë veten. 2500 marka e kam shitë një pikturë në Fakultet, në pjesëmarrjen time në Sallonin Pranveror në Prishtinë. Në shkollë të mesme edhe fillova me u formu shumë, por edhe kur nisi shitja e pikturave fillova me e bindë opinionin që piktura duhet blerë. Situata u përkeqësua më pas sepse dolëm në shtëpitë-fakultete, Kosova mbeti hermetikisht e mbyllur” tregon tutje Zake Prelvukaj.
Zake Prelvukaj është emër i njohur në botën e artit në Kosovë, por edhe përtej. Plot ekspozita të saja janë mbajtur jashtë vendit, plot të tilla në trojet shqiptare, përfshirë edhe rajonin, me Zaken e cila ka thumbuar tema të ndryshme që kanë rrokë në pikën kritike ndërgjegjjen e shqiptarëve.
“Sa herë jam poshtë, në banesën time, më thërret njëfarë zani sikur fëmija kur qan që e thërret nanën e vet. Një za, e pamundur, me sa fuqi vjen. Ndoshta ka pasë raste kur kam dalë krejt natën, jom argëtu me miq, por prapë jom kthy në atelie dhe kom pikturu. Padrejtësitë që më janë bërë në jetë veç më kanë ringjallë, e kom marrë brushën mes dy gishtave, dhe e kom çky pikturën prej inspirimit. Zoti e piktura ma kanë ushqy shpirtin, lumturinë, jetën. E kam rreziku jetën për pikturë. Tri herë jam helmu mes kemikaleve dhe ngjyrave, gati kom vdekë duke punuar firma shkaku i parave. Dikur para luftës në Kosovë, kur mbetëm pa asnjë rrogë në shpi, pa të ardhura, vijnë baba e nana në atelie, më thërrasin – atëherë kishim telefona statik, unë brenda e alivanosur, dera ishte e mbyllur. E thyejnë derën e ateliesë dhe më çojnë në spital, aty doktorët i tregojnë babës që ngjyrat ma kanë ulë tensionin, plus që unë gjithmonë kam qenë më e dobët dhe thatanike” e vazhdon tregimin e saj piktorja Zake Prelvukaj.
Patriotizëm i madh në vitet e 90-të në Kosovë, Zakja thotë, ka qenë që secili me i marrë pozicionet e veta të rezistencës. Zakja e shpjegon kësisoj: të gjithë i kishin tri jeta: si me ekzistu për bukë, a do të jemi gjallë nesër në mëngjes, dhe si me ekzistu si artist.
“Kafiteritë asokohe punojshin, por ishin vende të rrezikshme. Nisi ora policore, rreth vitit 1991 kur edhe diplomova, filloi rrëmuja e madhe. Filluan me na sulmu, u sulmuan intelektualët. Artistat mbetën rrugëve. Unë nisa me japë mësim në Shkollën e Mesme Ekonomike edhe në Shkollën e Mesme të Muzikës, në vitin 1989. Filluan edhe helmimet asokohe, unë isha në vitin e tretë. Unë nuk kam qenë e helmuar por e di sa tmerr ishte: kur erdha në shpi, piva ujë, e prej sikletit i thashë nanës mos m`ka qitë sheqer në ujë. Baba më tha me shku në Shkollën e Mesme Ekonomike, por unë u ktheva e i thashë – Zenel, e kom lon atë vend. Ai më tha mirë, por tash je e pavarur e unë nuk muj me të ndihmu. Kjo ka qenë rruga ime, si ajo e Muhamedit dhe e Krishtit, për mua arti ishte dhe është Muhamed dhe Krisht” tregon Zakja, e cila e njohur si piktore, gjithmonë e ka kultivuar edhe shkrimin si pjesë të artit të saj. Gjatë tërë intervistës, ajo më tregon se një artist i vërtetë duhet të ketë njohuri edhe nga fushat e tjera të artit, dhe t’i kultivojë aftësitë e veta.
Zakja ka refuzuar çdo post politik, sepse siç thotë vetë ajo, politika kulturore i thyen të gjitha kufinjtë. Kohë më parë asaj i janë ofruar edhe pozita e Ministres së Kulturës, drejtoreshës së Galerisë së Arteve, por ajo ka preferuar më shumë të jetë besnike e penelës së saj artistike.
Gjithmonë e përpiktë edhe në hartime, ajo tregon se si arsimtari Gazmend Badivuku e ka çmuar tek ajo çiltërsinë e fjalës së shkruar. Zakja ka mbajtur edhe ditar, një ditar ndryshe, ku do të shkruante për pubertetin, për dashurinë, për filozofinë, për pikturën.
“Shembull, 6 mars: vlon qyteti i Prishtinës, kallet Bellaqevci, jemi këtu e po presim a po vjen policia a jo. Një ditë tjetër, 30 prill: unë çoj dashni deri në mëngjes me të dashurin, jeta vazhdon, ora 12 i natës, djersët na përpjeken, luftë në Kosovë, kallet Prishtina, populli im shkrumb i shkrumbave, në pranverë vjen era shkrumb…Në një pjesë të ditarit e kam një dialog me Nichen, ndërsa flas edhe me Mirko Gashin” tregon Zakja.
Plot njerëz piktores i kanë kaluar nëpër jetë, duke e përcjellë atë në stacione të ndryshme. Me Alberta Tronin do të shoqërohej për shumë kohë, ndërsa pas dasmës së Anisa Ismajlit dhe Blerim Gjocit rrezikoi arrestimin nga ana e policisë serbe, bashkë me Migjen Kelmendin dhe Gjon Mirditën, atëbotë. Me Violeta Rexhepagiqin, shumë shpesh kishin pirë kafe ‘Te Parisi’ – një vend sot i zhdukur në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë. Të dyja, me origjinë nga e njëjta pjesë, nga Plava e Gusia.
Jemi në fundin e tregimit të Zakes, edhepse tregimi do të vazhdojë dhe as këtu nuk vjen tërësisht i përthekuar. Një pikturë Zakja e ka shitur rreth 30 mijë euro, tek një blerës amerikan, një milioner. Piktura ‘Unë jam ajo në 36 shkronja’ tanimë ka gjetur një vend të ri. Zakja nuk ankohet asnjëherë për aspektin e shitjes së pikturave të saj, pasi thotë se çdoherë njerëzit e botës kanë pasur e kanë interesim për punën e saj. Nuk i shet shpesh, kuptohet.
Zaken, gjithmonë e ka tunduar erotika.
Në vitin 2005, jo e vetmja punë kjo e Zakes me motive erotike, ajo mbledhë artistë të tjerë dhe organizon ‘Sekspozitën’ në Muzeun e Kosovës. Bashkë me Ismet Jonuzin, Visar Ulajn, Albian Gagicën, Samir Karahodën e Ylber Mehmedaliun e artistë tjerë, organizohet projekti në fjalë që tentonte ta iniconte debatin e artit erotik edhe në Kosovë.
“Jeta ime personale ka qenë gjithmonë e pasur, edhe në aspektin erotik. E them edhe nuk e fshehi, njerëzit më kanë dashtë dhe i kam dashtë. Kur e kom dashtë dikë, dhe kur ka qenë reciproke, ka shku për mrekulli. E kam përdorur edhe trupin tim për art, por më kanë pritë mirë. Kur mendohej se seksi është temë tabu për njerëzit në Kosovë, doli që nuk ishte. Erotika gjithmonë më ka inspiru, qysh prej Marina Abramoviqit dhe punëve të saj erotike. Në të ardhmen dua ta vazhdoj pjesën e dytë të ‘Sekspozitës’ ku do të ketë hulumtim të tregut të artit erotik në Kosovë” tregon tutje Zakja.
Pikturën poshtë, Zakja e ka nisur prej fillimit të pandemisë në Kosovë. Ende nuk e ka përfunduar, por është lidhur fort me të.
(Ky tekst është botuar me ndihmën e Komunës së Prishtinës dhe subvencioneve kulturore vjetore nga kjo Komunë)