28 Tetor, 2022 - 11:34 pm
Flonja Haxhaj
Metafora që sjell transformimi në përgjithësi e ai i lules së parë në veçanti, erdhi si një formë e veçantë e prezantimit një një ekspozite personale nga autori Astrit Ismaili.
‘Monumenti i Lules së Parë’ është ekspozita që siç thuhet në përshkrimin e saj prezanton punën artistit e që ndërlidhen me transformimin. Monumenti i luleve, kthehet në metaforë, njejtë si udha e saj në mes të errësirës së thellë.
Skulptura petalesh, të vendosura në podiumin e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, e videoja ‘Love Research’ që shfaqej si pjesë e kësaj ekspozite, u kurorëzuan me performancën ‘Miss Kosova’ që realizoi vetë artisti, një performancë kjo që kompletoi gjithë mesazhin që Ismaili dëshiroi të përçojë gjatë kësaj mbrëmje, shkruan KultPlus.
I rrethuar nga publiku, Ismaili performoi i vetëm këngën ‘Miss Kosova’ të cilën vetë e ka kompozuar, por kjo nuk është hera e parë që artisti realizon këtë performancë, pasi premierën e saj ai e dha vitin e kaluar në Bienalen e Athinës.
E fjala qe u dëgjua më së shumti gjatë kësaj performance është padyshim fjala ‘Miss’ e për të cilën artisti thotë se është uni i tij I dytë.
Duke folur për ekspozitën ai tha për KultPlus se në ekspozitën e tij ai ka përfshirë instalacionin e petaleve të lules si një instalaicon zëri në të cilin ai ka vendosur këngën që ai ka kompozuar vetë, e që quhet ‘Lulja e parë’.
“’Lulja e parë’ tregon historinë e bimës së parë e cila ka vendosur të bëhet lule, sepse siç e dimë, qindra miliona vite më parë, bimët nuk kanë pasur lule dhe procesi i riprodhimit të luleve ka qenë shumë i vështirë dhe për me përmirësu këtë dukuri bimët është dashur të gjejnë një zgjidhje kreative edhe kjo zgjidhje ka qenë formimi dhe evolimi në lule. Kur bimët janë zhvilluar me lule, jo vetëm jeta e bimëve është përmirësu por e gjithë ekosistemi ka ndryshu.”, u shpreh Ismaili duke shtuar se ky transformim është ajo që atij i ka interesuar githmonë.
‘Ky moment i transformimit metaforikisht lidhet edhe me shumë situata në shoqëri me të cilat unë gjithmonë jam inspiruar dhe ky ka qenë edhe inspirimi për këtë instalacion. Këtu është edhe një video që quhet ‘Love research’ që është bërë në vitin 2016 dhe këto të dyja lidhen për shkak që si esencë e kanë dashurinë. Përdryshe unë sot e kam realizuar edhe një performancë sot që quhet ‘Miss Kosova’.”, shtoi mes tjerash Ismaili, i cili më tutje tha se pas Athinës dhe Prishtinës, shpreson që kjo ekspozitë të udhëtojë edhe nëpër vende të tjetra.
Ndërkaq, pas hapjes së ekspozitës, për KultPlus foli edhe kuratorja Donjeta Murati, e cila tha se ajo dhe Astrit Ismaili kanë punuar për këtë ekspozitë qysh nga prilli, kur artisti e ka ftuar atë të bëhet kuratore .
“Qysh nga atëherë kemi folë për punën që jeni duke e parë këtu, të skulpturave, që është monumenti i lules së parë, prej atëherë kemi pasur takime kohë pas kohe dhe kemi mendu se në çfarë formati me e tregu dhe çfarë kish pas më së shumti kuptim me tregu në Prishtinë”, tha Murati.
Ajo ndër të tjerash shtoi se më 27 nëntor do të publikohet edhe katalogu i ekspozitës ku do të ketë edhe më shumë tekste dhe elaborime të ndryshme rreth ‘Monumenti i Lules së Parë’.
Ndërkaq, drejtoresha e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, Dhurata Ramosaj, ndau për KultPlus informacionin që kjo ekspozitë është planifikuar vitin e kaluar për t’u mbajtur këtë vit.
“Ne i kemi ftuar Astritin dhe kuratoren Donjeta Murati që ta bëjmë një projekt bashkë. Kemi punuar gjatë me këtë projekt sepse këto janë skulptura të ndërtuara me zërim dhe kanë dashur punë shumë të gjatë teknikisht.”, tha Ramosaj për KultPlus.
Ju kujtojmë që ekspozita ‘Monumenti i Lules së Parë’ do të qëndrojë e hapur deri më 1 dhjetor. Ajo do të jetë e hapur çdo ditë nga e marta në të shtunën nga ora 10:00 – 17:00./ KultPlus.com