27 Shtator, 2018 - 5:19 pm
Kohëve të fundit janë shpeshtuar sukseset e të rinjve kosovarë në fushën e arkitekturës. Këtë e dëshmon edhe një herë rasti i Atdhe Belegut, i cili ka fituar çmimin “Aspel Ramm”, një prej çmimeve më të rëndësishme arkitekturore në Norvegji.
Dhe jo vetëm kaq. Ky është çmimi i dytë që Atdhe Belegu mban, përfshirë edhe çmimin “Statsbygg”.
Ndërtimi.info ka kontaktuar me Belegun, i cili ka treguar rreth pjesëmarrjes së tij në garën për këtë çmim, i cili përpiqet të inkurajojë zhvillimin e njohurive që kontribuojnë për një një zhvillim më të mirë dhe më të orientuar të qyteteve.
25-vjeçari me prejardhje nga Peja, i lindur në Norvegji, ka kryer studimet master në shkollën e arkitekturës në Bergen të Norvegjisë me projektin “03 Assembly Palace”, me të cilin edhe kishte garuar për çmimin Aspel Ramm, duke u shpallur fitues.
Menjëherë pas studimeve, Belegu kishte filluar punën si arkitekt në studion arkitekturore “Mad”, në Norvegji.
“Për të kandiduar për çmim, projekti me të cilin kandidon duhej të ishte jo më i vjetër se 5 vjet. Pasi që të gjitha dokumentet përkatëse u dërguan, juria përzgjodhi 4 projekte të cilat më pas, ne 4 finalistët, i prezantuam në Oslo Urban Arena me 18 shtator”, tregon Belegu rreth pjesëmarrjes.
E për të depërtuar në këto gara, ai thotë se nuk ka qenë edhe e lehtë.
“Nganjëherë mund të jetë sfidues formati i projektit që përcaktohet e kërkohet për dorëzim nga organizatorët pasi që jo çdoherë përkon me formatin në të cilën e ke përshtatë ti vetë nga fillimi. Jashtë kësaj nuk kam përjetuar ndonjë pengesë”, shprehet Belegu për ndertimi.info.
Ai tani është duke punuar me projektin për ndërtimin e një parku institucional në Tønsberg të Norvegjisë, megjithatë, suksese e arritura deri tani, po e frymëzojnë atë për t’u bërë pjesë e garave të ndryshme ndërkombëtare.
“Ende nuk kam kandiduar për ndonjë çmim ndërkombëtar, por këto që i kam fituar tani në Norvegji me frymëzojnë të shikoj edhe përtej Norvegjisë. Momentalisht jam i përfshirë në një projekt në Tønsberg të Norvegjisë ku jemi duke e realizuar një park të ri institucional në atë rajon”, tregon ai.
Edhe pse Belegu nuk ka punuar ende me ndonjë projekt në Kosovë, ambiciet e tij për të ardhmen përfshijnë, ndër të tjera, ndërtimin dhe stimulimin e mekanizmave që frymëzojnë një zhvillim më të qëndrueshëm të arkitekturës në Kosovë./KultPlus.com