28 Maj, 2023 - 12:12 pm
Hermi Kürner është një artiste austriake e cila si pasionante e udhëtimeve ka sjell në pah edhe pikturat nga vende të ndryshme, e që këtë herë vijnë nëpërmjet një ekspozite me punime artistike nga pamjet e Austrisë dhe Shqipërisë, shkruan KultPlus.
24 punime me teknikën akuariel do të prezantohen në KultPlus Caffe Gallery, ekspozitë që do të hapet sonte nga ora 19:00.
Vlora, Kruja, Ura e Mesit në Shkodër, Tirana, Shën Gjini dhe piktura nga vende të ndryshme austriake do të prezantohen në këtë ekspozitë, e cila do të sjell ngjyrat e artistes Kürner.
KultPlus Caffe Gallery po e sjell për herë të parë në Kosovë artisten Hermi Kürner, punimet e së cilës do të qëndrojnë për tri javë.
Kürner është pasionante e madhe e udhëtimeve, ajo edhe në Kosovë vjen me mercedesin e saj old timer nga viti 1974, e cila me makinat e saj ka përshkuar pothuajse shumicën e bregdeteve Slloveni, Kroaci, Mal të Zi e Shqipëri, pa përfshirë udhëtimet e saj në Evropë./ KultPlus.com