25 Qershor, 2020 - 9:28 am
Muzeu Historik Kombëtar bën me dije se ekspozita fotografike “Austro-Hungaria dhe Shqipëria 1916-1918”, e cila u organizua në janar 2018 në kuadër të vitit kulturor Shqipëri-Austri mund të vizitohet virtualisht.
Muzeu shprehet se konferenca me të njëjtën titull solli në kujtesë periudhën e viteve 1916-1918, periudhë në të cilën Austro-Hungaria administroi më tepër se gjysmën e territorit të Shqipërisë. Ndërsa ekspozita përmbante 60 fotografi të realizuara nëpër qytete dhe fshatra të Shqipërisë nga oficerë e ushtarakë austro-hungarezë, nëpërmjet tyre paraqiteshin aspekte nga jeta e përditshme ekonomike dhe shoqërore e shqiptarëve të atyre viteve. Tematika e fotografive të ekspozitës ishte e ndryshme.
Fotoreporterët austro-hungarezë kanë shkrepur fotografi nga qytetet e mëdha të Shqipërisë; 15 fotografi nga Tirana, 14 fotografi nga Shkodra, 2 fotografi nga Berati, 2 fotografi nga Fieri, 2 fotografi nga Durrësi dhe një fotografi nga Vlora. Ata kanë realizuar fotografi nga jeta e përditshme. Në to gjejmë fshatarë me veshje popullore, por edhe zotërinj fisnikë si Prenk Bibë Doda nga Shkodra.
Nuk mund të lemë pa përmendur edhe fotografitë familjare siç është familja e Osman Beqirit nga Peqini. Fotoreporterët austro-hungarezë kanë shkrepur 4 fotografi nga Peqini, 2 fotografi nga Kruja, një fotografi nga Rrogozhina etj. Trupat austro-hungareze hynë në Tiranë më 9 shkurt 1916.
Në qytet u stacionua divizioni 47 i këmbësorisë, nën komandën e feldmarshall lejtnantit Braun, i cili paraqitej në një fotografi interesante. Të gjitha fotografitë janë realizuar gjatë viteve të administrimit austro-hungarez të Shqipërisë 1916-1918. Ky administrim politik, ushtarak e kulturor përvijoi impakte të shumta në sendërtimin e mëvonshëm të shtetit shqiptar, duke pasqyruar zhvillime pozitive në aspektin e infrastrukturës, shëndetësisë, arsimimit si edhe në jetën socialpolitike të Shqipërisë së pas Luftës së Parë Botërore.
Kjo ekspozitë u kthye në një ekspozitë lëvizëse nën titullin “Shqipëria në fokusin e austro-hungarezve” dhe në qershor 2019 udhëtoi drejt Durrësit, ku u hap në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit./sot/ KultPlus.com