Autoportreti i artistit që iku nga nazistët shitet për 23 milionë euro në Gjermani

2 Dhjetor, 2022 - 1:25 pm

Një autoportret i mrekullueshëm i krijuar nga artisti Max Beckmann gjatë Luftës së Dytë Botërore pasi ai u arratis nga Gjermania naziste u shit për 23.2 milionë euro të enjten, një çmim rekord për një pikturë të shitur në ankand në Gjermani, tha shtëpia e ankandit Villa Grisebach, shkruan Reuters, transmeton KultPlus.

Organizatorët e ankandit në Berlin kishin vlerësuar se “Autoportreti në të verdhë-rozë”, i pikturuar në vitin 1943, do të tërhiqte oferta nga 20 milionë deri në 30 milionë euro.

“Me këtë rezultat Grisebach ka vendosur një pikë referimi ndërkombëtar për tregtinë e artit gjerman dhe e ka bërë përsëri Berlinin një vend për rezultatet e ankandeve të klasit botëror,” tha Bernd Schultz, partner i lartë në Grisebach.

Beckmann, i parë gjerësisht si një artist i madh modern i shekullit të kaluar, e pikturoi atë ndërsa ishte në mërgim në Amsterdam.

Pasi nazistët i cilësuan pikturat e tij si “art i degjeneruar”, Beckmann dhe gruaja e tij, Mathilde, e njohur si “Quappi”, u larguan nga Gjermania në vitin 1937. Duke pritur në Amsterdam për vite me radhë për një vizë në Shtetet e Bashkuara, Beckmann punoi në rrethana të pafavorshme./ KultPlus.com

Të ngjajshme