22 Qershor, 2019 - 12:00 pm
Nga Monika Shoshori Stafa
Një artist gjerman i talentuar dhe i gjithanshëm i periudhës së Rilindjes, Albrecht Durer (1471-1528), lindi në qytetin frankonian të Nurembergut, një nga qendrat më të fuqishme artistike dhe tregtare në Evropë gjatë shekujve të XV dhe XVI. Ai ishte piktor, grafist dhe një shkrimtar i shkëlqyer, megjithëse ndikimi i tij i parë dhe ndoshta më i madh artistik ishte ai i shtypjes në kartë të vizatimeve…
Durer punonte me babanë e tij, që ishte një argjendar dhe me piktorin e qytetit Michael Wolgemut, punishtja e të cilit prodhonte punime në dru për libra dhe botime të mëdha. Pas ndjekjes së punës me përkushtim Durer do të bënte që të revolucionarizojë procesin e shtypjes në kartë të vizatimeve, duke e ngritur atë në nivelin e një forme të pavarur të artit.
Talenti i Durerit, ambicia dhe intelekti i mprehtë i dhanë atij vëmendjen dhe miqësinë e disa prej figurave më të shquara në shoqërinë gjermane. Ai u bë artisti zyrtar i oborrit për perandorët e Shenjtë Romak si Maksimilian I dhe pasardhësi i tij Charles V, për të cilët Durer projektoi dhe ndihmoi në ekzekutimin e një sërë projektesh artistike.
Në Nuremberg, një qendër e gjallë e humanizmit gjerman dhe një nga qytetet e para që edhe zyrtarisht i mirëpriste parimet e Reformimit, Durer arriti të kishte akses në disa teologë dhe studiues të shquar të Evropës, përfshirë edhe Erasmusin etj. Për hollin e bashkisë së qytetit të Nurembergut, artisti pikturoi dy tablo të katër apostujve, duke sjellë tekste nën përkthimin e Martin Lutherit duke i thurur lavde qytetit që kish adoptuar luteranizmin. Qindra vizatime që i kanë mbijetuar kohërave, letra dhe shënime të ditarit të tij, dokumentojnë udhëtimet që artisti ka kryer nëpër Itali dhe Holandë (1520-21), duke dëshmuar perspektivën e tij këmbëngulëse shkencore në kërkim të një gjykimi artistik.
Durer i donte autoportretet. Gjatë gjysmës së parë të jetës së tij, arriti të krijonte një seri të autoportretesh tepër elegante dhe nga kritika vlerësuar për një shije të hollë. Portretin e parë të vetes ai e vizatoi në vitin 1484, kur artisti, një djalë me zhvillim të parakohshëm sapo kish mbushur të 13-tat. Portreti ishte vizatuar në pllakë argjendi, një nga teknikat tradicionale të vizatimit në atë kohë, përdorur fillimisht nga shkrimtarët e mesjetës nëpër dorëshkrime. Më vonë, ai shkroi në këndin e sipërm të djathtë: “Një portret i vizatuar i vetes nëpërmjet pasqyrës, vitin 1484, kur isha ende fëmijë – Albrecht Durer”.
Një tjetër kryevepër erdhi pas ca vitesh në krijimtarinë e tij. Piktura ikonë e autoportretit të vet, është një djalosh 28-vjeçar që mban veshur një pallto me jakë gëzofi. Këtë autoportret Durer e pikturoi në fillim të vitit 1500, pak para ditëlindjes së 29 të tij. Kjo vepër është dhe e fundit e tre autoportreteve të tij të pikturuara me aq kujdes e pasion. Është konsideruar si një ndër më afër portretit të tij jo vetëm fizik, por dhe psikologjik, tepër kompleks si përcaktim profesional dhe me të cilin duket se ai ka mbetur i tillë në imagjinatën popullore.
Është gjithashtu i famshëm, sepse në këtë autoportret ai ngjan shumë përfytyrimit të Krishtit. Kodi fetar këtu është i qartë: simetria, tonet e errëta dhe mënyra me të cilën Durer hedh sytë mbi vizitorin. Ai nuk mjaftohet me kaq por ngre duart në mes të gjoksit sikur të jetë në aktin e bekimit. Duke pasur parasysh portretin e idealizuar të tij siç dhe duket që në skicimin e parë, hunda e tij ishte fillimisht e parregullt në formën e saj dhe të gjithë e pranuan në fund se Durer i është afruar shumë Krishtit. Në shkrimet e vjetra në latinisht kjo konsideratë është gjetur me fjalët “imitatio Christi”, një imitim i Krishtit. Durer e ka pikturuar veten me flokë ngjyrë kafe, edhe pse vetë portretet e tjera të tij tregojnë se ai i kishte të kuq në biond.
Në vitin 1500 një qëndrim ballor, si Albrecht Durer e kishte pikturuar veten, nuk ishte i zakonshëm për një portret laik. Dy pikturat e mëparshme të tij ishin pikturuar në një kuadër tre të katërtat. Qëndrimi ballor në tablotë e kohës mbeten përjashtime, edhe pse Hans Holbein i Riu, një nga portretistët më të mëdhenj të shekullit të 16-të në atë kohë, pikturonte portrete të Henrit të VIII-të të Anglisë dhe mbretëreshave të tij, ndoshta sepse kishte ky të drejtën e vetme për të ndjekur udhëzime të tilla për të përdorur këtë lloj pozicioni. /KultPlus