22 Korrik, 2019 - 10:17 pm
Xhemile Hysenaj
Sot, në ambientet e Hamamit të vjetër të Prizrenit u mbajt konferenca e dytë me radhë në kuadër të organizimit “Autostrada Biennale”.
Në këtë objekt të njohur të qytetit u diskutua për lëvizjet artistike në Ballkan dhe ndikimin e tyre në shoqëri. Panelistët Nemanja Cvianoviç nga Kroacia, Vladan Jeremiç nga Serbia, Tomasso Pincio nga Italia dhe Milan Zivkoviç nga Maqedonia e Veriut, bënë një diskutim dyorësh nën moderimin e Hajrullah Çekut.
“Në Kroaci gjatë viteve të 90’ta, shumë punëtorë kulturorë kanë përdorur mënyrat e zhvillimit artistik për të vazhduar aktivizmin majtist” ka thënë Nemanja Cvianoviç.
“Kanë bërë shumë revista kundër paradigmës dominante. Askush nuk ka qenë i përfshirë me politika të drejtëpërdrejta” ka shtuar ai.
Në anën tjetër, Vladan Jeremiç ka elaboruar problemin e raportit mes politikës dhe artit.
Ai ka ngritur pretendimin se arti nuk duhet ta arsyetojë vetveten.
“Mund të punosh pa menduar për politikë por politika asnjëherë nuk harron të mendojë për ju”. Artisti serb e ka mbyllur mendimin e vet me frazën e njohur se në ballkan ‘’gjithçka është politike”.
Tregimi ballkanas në anën tjetër, pretendohet se ka pasur ndikim prej literaturës europiane. Këtë pretendim e ngriti panelisti tjetër, artisti i njohur italian Tomasso Pincio. Ai ka folur gjithashtu për stereotipet masive që kanë ekzistuar në Europë para se këta të fundit të kishin mundësi ta lexonin letërsinë ruse dhe të bindeshin se rusët nuk janë barbarë por dinë të prodhojnë letërsi të bukur.
Me kaq u mbyll pjesa e parë e debatit, për t’i lënë udhë pjesës së dytë e cila ishte shumë më dinamike dhe interaktive duke marrë parasysh edhe angazhimin nga audienca.
I quajtur “Inovation as (R)evolution”, edhe ky debat gjeti vend në të njejtin objekt historik.
Në këtë debat morën pjesë Frank Hantke nga organizata Friedrich Elbert Stiftung (FES), që është edhe mes mbështetësve të organizmit, Giacinto Di Pietrantonio nga Italia e Bujar Ejupi nga MEISTER. Debati u moderua nga Besa Luzha.
Frank Hantke nga FES argumentoi se mentaliteti i prindërve shqiptarë që duan që fëmija i tyre të studiojë me çdo kusht është shumë dekurajues për ata fëmijë që në rrethana normale nuk do të përcaktoheshin për studime por për aftësime profesionale joakademike.
Ai si në shaka tha se ishte më i lumtur kur ishte automekanik sesa kur ndiqte studime për t’u bërë trajnues profesional. Në anën tjetër, Bujar Ejupi nga MEISTER, shpjegoi sesi ndërmarrja e tij tani është kthyer edhe në një pikë rekrutimi për të interesuarit që duan të aftësohen në drejtime profesionale joakademike, si p.sh. instalimi i ashensorëve. Interesimi i tyre, sipas Ejupit, është megjithatë i vogël.
Ky aktivitet kulturor, pjesë e “Bienales”, është një organizim që ka tërhequr mjaft vëmendjen e opinionit kulturor kosovar. / KultPlus.com