3 Nëntor, 2022 - 1:40 pm
“Autostrada Hangar”, hapësira për edukim, prodhim dhe ekspozitë në ITP (Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren) po vazhdon aktivitetet për publikun e gjerë me hapjen e ekspozitës së radhës të titulluar “Tregimi i Autostrada Hangar”, përcjellë KultPlus.
“Pas suksesit të hapjes së hapësirës multi-funksionale me aktivitete të shumta publike, ne si Autostrada Biennale jemi angazhuar që ta ndajmë me publikun përvojën tonë të krijimit të institucionit të artit bashkëkohor “Autostrada Hangar””, thuhet në njoftim.
Duke e parë që ka interes shumë të madh të audiencave lokale dhe ndërkombëtare për tu njoftuar me procesin e krijimit të hapësirës dhe programeve, organizatorët e kanë parë si shumë të nevojshme organizimin e kësaj ekspozite e cila e paraqet Hangarin në tre periudha “Si ka qenë” Si është transformuar” dhe “Si do të zhvillohet në të ardhmen”.
Andaj në këtë event, organizatorët do të ndajnë me juve procesin e këtij transformimi dhe të festojnë së bashku suksesin e saj.
Hapja e ekspozitës “Tregimi i Autostrada Hangar” do të mbahet me datën 12 Nëntor 2022, e shtune, nga ora 20:00.
Ekspozita përkrahet nga: GIZ dhe ITP, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prizrenit. / KultPlus.com