13 Shtator, 2018 - 10:56 pm
Alberina Haxhijaj
Sot në Galerinë e Ministrisë së Kulturës u bë hapja e ekspozitës “Miti për Jetën” e autorit Avni Behluli. Kjo është ekspozita e 23-të e artistit e cila erdhi me 34 punime të ndara në dy vizatime dhe grafikë, shkruan KultPlus.
Më të hyrë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, vizitorët e ekspozitës “Miti për jetën”, fillimisht ndeshën me një luhatëse e cila ishte varur në murin e galerisë. Kjo luhatëse e vjetër të krijonte përshtypjen se ka dalë nga vizatimet e artistit që qëndronin afër saj. Zgjedhja e kësaj luhatëse, sipas artisti ka të bëjë me faktin se ai gjithmonë dëshiron që të lidhet me elemente të cilat janë autoktone –shqiptare.
“Dëshirojë që motivet dhe imazhet ti marrë nga burimet dhe jo të kopjoj apo të bazohem në imitime”, u shpreh artisti.
Por përderisa në njërën ballinë të murit zinin vende figurat abstrakte të njerëzve dhe elementi i luhatëses, ana tjetër veçohej për përdorim të notave muzikore dhe instrumenteve të ndryshme të cilat ishin gërshetuar brenda imazheve që kishte zgjedhur artisti.
“Të cikli ‘Simfonia e Artit”, kam nudot, figurën e njeriut, me një piano, një testaturë apo diçka që tregon se arti prodhon dhe është tingull, pra arti im. Unë bëjë lojë me ato notat me një ritëm poshtë-lartë dhe si e tëra është një simfoni. E kjo simfoni në artin pamor është e përbërë nga elementet shprehëse të artit pamor: vija, forma, ngjyra, formësimi i tërësishëm”, u shpreh artisti për KultPlus.
Përzgjedhja që në këtë ekspozitë artisti të vinte vetëm me vizatime dhe grafike, punime këto të cilat janë realizuar kryesisht gjatë viti 2018, për kuratorin Rexhep Ferri, ka qenë një sfidë e këndshme. Ai u shpreh se më të parë këto vizatime dhe grafika, e ndjeu një lloj detyrimi që njerëzit ta shihnin këtë punë të kolegut të tij, e që më parë e kishte pasur edhe student.
“Behluli më thirri që të shkoj në studion e tij në Gjilan që të shoh se çfarë ka punuar gjatë viteve që ne kishim humbur kontaktet dhe nuk ishim takuar. Nga ajo kohë kanë kaluar shumë vite dhe kur shkova në studion e tij hyra në një botë që nuk e prisja me aq shumë imazhe. Katin e parë të shtëpisë e kishte shndërruar në studio. Dhe kur bëra një shëtitje mes atyre cikleve të krijimtarisë së tij, pash shumë vite dhe shumë kohë, shumë histori të shkruara e të pashkruara… Pasi bëmë një shëtitje bukur të gjatë se kishte shumë vepra në katin e parë, më ftoi të dalim në oborr. Në oborr nën qiell të hapur ishte edhe një ekspozitë tjetër. Ishin disa skulptura të vendosura në tri anët e oborrit. Ai nuk ishte oborr, por galeri nën qiell të hapur. Aty mu duk se takova “Mbretin e Dardanisë”, “Mbretëreshën e Dardanisë”, mitet epike, historinë e pashkruar dhe të gjitha këto mu dukën se ishin një botë e cila asaj që kisha parë brenda i konkurronte”, ishte përshkrimi që Rexhep Ferri i bëri ritakimit me artistin.
Kjo ekspozitë personale e Behlulit, sipas piktorit Bislim Aliu, paraqet një kreativitet solid dhe të mbarështuar bukur, sa idilik, aq edhe sensitiv, sa kreativ aq edhe përmbajtjesor.
Sipas tij ai është mjeshtër i mirë i vizatimit. Sipas tij në këto vizatime të prezantuara me intimen më të lartë shpirtërore, vërehet qartas poetika rezonuese e kreativitetit. E pikërisht kreativiteti i tij seksual mund të vërehet edhe në grafikë të cilën ai e realizon më një kërshëri tejet të lartë individualiste dhe sensitive.
“Të gjitha grafikat janë të realizuara me teknikën gjilpërë e thatë, ku dendur vërehet edhe përkushtimi i lartë grafikor. Gjithsesi në këto vepra të ekspozuara dhe të realizuara bukur, Avni Behluli e tregoi artin e tij të mirëfilltë. Tregoi sipërfaqen e tij, të qartë dhe konkrete e cila gjendet në shpirtëroren e tij”, u shpreh ai.
Ekspozita “ Miti për jetën” e cila u hap sonte do të qëndrojë e hapur në Galerinë e Ministrisë së Kulturës deri më 27 shtator./ KultPlus.com