Bac, u kry, Destan Gashi realizon skulpturën gjigande të Adem Jasharit në Vjenë

28 Gusht, 2020 - 2:04 pm

Çekani dhe dalta më të cilën ishte gdhendur prej muajsh guri gjigand, kishin pushuar së punuari. Skulptura prej gurit e cila në mënyrë figurative është me plis në kokë dhe me gojë të hapur, nga e cila nxjerr zjarr dhe tym heroi ynë kombëtarë, Adem Jashari është përfunduar. Ajo tashme gjendet në oborrin e shtëpisë së skulptorit shqiptar në Vjenë, Destan Gashit. Kjo skulpturë për artistin tonë, është kryevepra e punimeve të tij të deritashme.

Të punon një skulpturë prej gurit figurën e Adem Jasharit, për Destan Gashin ishte ëndërr e kamotshme. Por, gjithmonë dëshironte diçka të re, diçka që nuk është realizuar deri më tash. Dëshironte që ai punim të kishte një mesazh, të bëhej me shpirt dhe zemër. Tonelatat dhe përmasat e gurit tregonin më së miri peshën që heroi Adem Jashari e ka në zemrën e skulptorit Gashi. Dhe, kjo u realizua. Ajo tash e disa ditë gjendet në kopshtin e tij.

Albinfo Austria vizitoi shtëpinë e skulptorit Destan Gashi në Vjenë dhe shikoi për së afërmi madhështinë e punës së realizuar.

E gjitha vepra e punuar nuk është bazuar në asnjë fotografi. Gjithçka është e lindur nga imagjinata e artistit, Destan Gashit. „Në imagjinatën time ishin ngulitur momentet e fundit të Adem Jasharit, kur ai në mënyrë figurative kishte plisin e bardh në kokë dhe kur në përballje me armikun, nxirrte tym e flakë nga goja“, thotë Destan Gashi  për Albinfo Austria.

Në kohën e pandemisë, në banesën tij, Destan Gashi kishte marr pak argjilë dhe ia kishte filluar të bëj një skicë. Skica e punuar nga argjila i kishte dal shumë e bukur dhe origjinale.  Në bazë të asaj skice pastaj kishte porositur gurin dhe kishte filluar punimin. „Për afro 4 muaj punë e përditshme dhe e pa ndërprerë derisa e jetësova kështu siç është. Është kënaqësia më e madhe që më ka dhënë ndonjë punim gjatë karrierës sime. Nuk kam përjetuar asnjë lodhje, kisha vullnet të punoja ditë e natë. Ndoshta, sepse para vetës kisha një figurë madhështore, një legjendë të historisë dhe kombit tonë, e kisha një emër të madh: ADEM JASHARI“, thotë Destan Gashi duke treguar dashurinë që ai ka për heroin dhe sakrificën e Adem Jasharit për atdheun.

Skulptura e Adem Jasharit, kryevepra e Destan Gashit

Skultori Destan Gashi ka punuar edhe punime të tjera të cilat janë poashtu të përzemërta për të, si p.sh: Djaloshin e sapolindur të Rozafës, por kjo sipas tij është letërnjoftimi dhe kryevepra e tij.

„Gjithçka që kam pasur në brendësi e kam derdhur në këtë skulpturë. Është e punuar me shumë dashuri, me zemër, me shpirt…“.

Guri në të cilën është gdhendur figura e Adem Jasharit është prej shtufi (Sandstein)  është gurë i ardhur nga Burgenland. Skulptura peshon 1.2. Tonelatë i rëndë, me gjerësi prej 1 metër me 1.2 metra dhe lartësi prej 1.1 metra.

Megjithatë, dëshira e Destan Gashi është që kjo skulpturë të jetësohet në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Zeqisht në komunën e Rahovecit. Por, ëndrra e tij nuk ka përfunduar këtu. “Në kokën dhe mendjen time tashmë është që e njëjta figurë e Adem Jasharit të punohet nga guri i kuq i Therandës në një peshë prej 6 tonësh”, thotë ai.

Të interesuarit të cilët kanë dëshirë ta shohin për se afërmi skulpturën e Adem Jasharit por edhe skulptura dhe punime të tjera, Destani së bashku me bashkëshorten, piktoren, Barbara Gashin do të hapin ekspozitë nga data 5-18 shtator. Gjatë javës, ekspozita është e hapur nga ora 16.00 – 19.00, të shtunën prej 12.00 – 18.00 dhe të dielën prej orës 10.00 -18.00. Në këtë ekspozitë do të prezantohen edhe disa piktura nga Barbara Gashi. / Albinfo / KultPlus.com

Të ngjajshme