27 Korrik, 2020 - 12:38 pm
Banksy ka dhuruar një seri pikturash në një ankand të radhës bamirësie që do të mbledhë para për një spital në Betlehem, Palestinë.
Piktura trepjesëshe, e titulluar “Mediterranean sea view 2017”, vlerësohet se do të shitet midis 800,000 deri 1.2 milion funte, raporton “DazedDigital”, transmeton KultPlus.
E punuar në vitin 2017, vepra me pamje nga deti Mesdhe 2017 paraqet jelekët dhe gomat e shpëtimit në një peizazh të stilit të shekullit XIX duke krijuar skena të errëta, ironike që komentojnë krizën e refugjatëve.
Vepra e artit u krijua fillimisht për hotelin “Walled Off” të Banksyt në Bregun Perëndimor – i njohur si hoteli me “pamjen më të keqe në botë” – ku ka qenë e shfaqur për tri vitet e fundit, së bashku me disa prej veprave të tjera artistike politike të Banksyt, të shoqëruara me muzikën e “Massive Attack”.
Të gjitha të ardhurat nga pikturat e vajit, kur të dalin në ankand në “Sotheby’s” më 28 korrik, do të shkojnë drejt ndërtimit të një njësie të re, një ndërtese të re dhe për blerjen e pajisjeve për rehabilitimin e fëmijëve për BASR (Bethlehem Arab Society for Rehabilitation).
Në muajt e fundit, Banksy ka dhuruar gjithashtu një pikturë në një spital në Southampton, duke i bërë homazhe personelit mjekësor në mes pandemisë me koronavirusin. / KultPlus.com