20 Dhjetor, 2024 - 2:00 pm
Galeria Kombëtare e Arteve çeli ditën e djeshme ekspozitën “Bashkëbisedim me mjeshtrat”, në galerinë e artit FAB.
Ekspozita, e mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ka si qëllim të thellojë lidhjen ndërmjet studentëve të arteve dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, duke i futur ata në thellësi të veprës së artit të traditës dhe bashkohësisë shqiptare.
Kuratore e ekspozitës është Merita Selimi dhe drejtuese e projektit, Anisa Skënderi.
Një aspekt thelbësor i këtij projekti është ndihma në zhvillimin e një dialogu të hapur mes studentëve dhe veprave të artit, ku ata do të kenë mundësinë të analizojnë, interpretojnë dhe reflektojnë mbi tematikën dhe teknikat e përdorura në krijimin e këtyre veprave. Ky proces do të përfshijë jo vetëm analizën vizuale të veprave të artit, por gjithashtu një përpjekje për të kuptuar mesazhin e thellë që ato përçojnë, dhe si kjo lidhje mund të aplikohet në krijimtarinë e studentëve.
Përmes praktikës së punës direkte me veprat e artit, studentët do të njihen me metodën e krijimit të telajos, gruntit dhe ngjyrave, si dhe me teknikat e vlerësimit dhe ruajtjes së veprave, një aspekt shumë i rëndësishëm në krijimin dhe konservimin e artit. Për më tepër, ata do të zhvillojnë një kuptim më të thellë mbi aspektet e mjeshtërisë dhe teknologjisë së përdorur nga autorët e veprave të përzgjedhura, duke zbuluar se si çdo artist përdor mjete dhe teknika të ndryshme për të shprehur idetë dhe emocionet e tij.
Studentët do të kenë mundësinë të vlerësojnë sesi veprat e artit lidhen me njëra-tjetrën, brenda një hapësire të caktuar, siç është galeria FAB, dhe si mund të krijohet një përvojë koherente për spektatorët, duke ruajtur lidhjen emocionale dhe konceptuale të ekspozitës.
Edhe pse Galeria Kombëtare e Arteve ka kaluar në një fazë rikonstruksioni të ambienteve të saj dhe ekspozimi i veprave nuk është i hapur për publikun si dikur, ky projekt synon të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi dhe ndërveprimi me institucione të tjera të kulturës dhe arsimit, duke krijuar një hapësirë për rinovimin e energjive kreative të studentëve të arteve dhe mbështetje për zhvillimin e tyre profesional.
Ekspozitë e Galerisë Kombëtare të Arteve. Fotot nga Agim Dobi/ KultPlus.com