Bashkëbisedim mes Edi Hilës dhe Shkëlzen Maliqit

21 Maj, 2024 - 1:45 pm

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës do të mbahet një bisedë mes Edi Hilës dhe Shkëlzen Maliqit, të martën, më 28 maj, në orën 18:00.

Biseda do të fokusohet në punën artistike të artistit Edi Hila, si dhe ekspozitën e tij “A4 Print”, të kuruar nga Shkëlzen Maliqi, e cila është aktualisht e hapur në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.


Biografia e Edi Hila:

Lindur në Shkodër në vitin 1944, Edi Hila jeton dhe punon në Tiranë. Në vitin 1967 Hila u diplomua në Institutin e Arteve të Bukura në Tiranë. Nga viti 1968 deri në vitin 1974 ka punuar në Radio Televizionin Shqiptar dhe si ligjërues i jashtëm i Vizatimit në Institutin e Larte te Arteve. Në vitin 1973 ai ndoqi një trajnim profesional për skenografi televizive në degën e RAI-t në Firence. Në këtë periudhë ai pikturoi “Mbjelljen e Pemëve”, vepër që u kritikua më vonë në Plenumin e Katërt të Komitettit Qendror të PPSH-së. Ai u kritikua edhe për skenografinë e Festivalit të 11-të të Radio Televizionit Shqiptar. Më 1974 atë e larguan  nga Radio Televizioni Shqiptar dhe u dërgua për riedukim si punëtor në Pularinë e Tiranës në Laprakë ku punoi nga viti 1977 deri në 1978. Më pas, në periudhën e parë të rehabilitimit pas dënimit, Hila u transferua në ndërmarrjen e Dekorit të Qytetit te Tiranës. 

Në vitin 1980, pas rehabilitimit të plotë, filloi punën si redaktor arti tek “Horizonti”, revistë për pionierë e botuar nga Komitetit Qendror i Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë. Në vitin 1988 Hila fillon mësimdhënien si profesor i jashtëm në Atelienë e Pikturës në Akademinë e Tiranës dhe në vitin 1991 emërohet profesor në Atelienë e Pikturës në Fakultetin e Arteve Pamore në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku edhe zgjidhet Dekan në vitin 1993. Nga viti 1996 deri në pensionimin e tij ka qenë profesor i Pikturës në Akademinë e Arteve të Tiranës, sot Universiteti i Arteve.

Hila është fitues i çmimit “Onufri” në vitin 1993 dhe 1998. Në vitin 2017 ekspozon në “Dokumenta 14“, Athinë dhe Kassel. Në viti 2018 hap ekspozitën e parë retrospektive në Muzeun e Artit Modern në Varshavë, Poloni, ekspozitë e cila u hap edhe në Galerinë Kombëtare, Tiranë. Ai ishte i ftuar në programin “Berlin Artist” të DAAD-së, në vitin 2019. Në vitin 2020 ekspozon në “Secession“ në Vienë./ KultPlus.com

Të ngjajshme