Beat Brunch sjellë sot shqiptaren e Movie Makeup Artist Fiona Abdullahun

15 Prill, 2018 - 10:00 am

Alberina Haxhijaj

Sot në kuadër të Beat Brunch do të jetë Movie Makeup Artist, Fiona Abdullahu e shoqëruar në muzikë nga “Alt’n beats” dhe Yll Megi, shkruan KultPlus.

Fiona Abdullahu është artiste e grimit për filma (Movie Makeup Artist). Ajo studimet i ka përfunduar në Paris në “Movie and Tv Makup Academy” ku edhe ka specializuar. Akademi kjo e njohur për grimer me famë botërore. Vitin e kaluar ajo është kthyer nga Parisi dhe tani merret me filma, seriale dhe reklama të ndryshme. Ajo kishte nderin të punonte me këngëtarin britanez Issac Gracie – Tarrifie, po ashtu punoi në reklamat ndërkombëtare të telefonisë “Huawei” dhe qëllimi i saj është që puna e saj të njihet në mbarë boten.

Grimi që ajo do e demonstrojë është i stilit të iluzionit optik dhe tema e saj është e shprehur në mënyrë figurative. Karakteristika e artit të saj është inspirimi nga përditshmëria dhe nga temat që janë aktuale në shoqëri. Ndërsa në Beat Brunch vjen me një mesazh të rëndësishëm por edhe qesharak. Tema e grimit është “Na shkoj ftyra” të cilën ajo me artin e saj e vizualizon në fytyrën e njeriut. Për KultPlus Fiona Abdullahu ka treguar se ky inspirimi i ka ardhur nga tendenca e madhe e shoqërisë për të përdorur turpërimin për kontrollimin e mendimeve dhe sjelljeve jo konvencionale.

“Kur e kam përfunduar shkollën e mesme kam dashur që të bëj diçka tjetër dhe jo vetëm të ulem dhe të mësoj. Këtë ua kam thënë edhe prindërve dhe pas shumë lutjeve kam shkuar në një shkollë për grim diçka që gjithmonë e kam pasur pasion. Fillimisht kam shkuar për 5 muaj në “Make up for ever Academy” në Helsink ndërsa më vonë në akademinë në Paris. Pikërisht në Paris kam mësuar se sa shumë duhet me punu dhe me e dashtë punën që më arrit diçka pasi që atje çdo gjë bëhej në mënyrë shumë profesionale”, tha ajo për KultPlus.

Duke treguar se pikërisht punimet që do të sjellë në këtë ngjarje lidhen në një formë më ndjenjat dhe eksperiencat e saj në Paris. Për derisa synimi i saj mbetet promovimi i këtij arti edhe në Kosovë.

“Kërkesa për movie make up artist nuk është e madhe në Kosovë pasi që profesionalizmi në këtë lami specifike mungon, në anën tjetër, nuk vlerësohet shumë sepse nuk është e përhapur në kulturën tonë. Por, synimi im është të sjellë këtë lloj arti në Kosove dhe të shpërndaj mesazhe përmes tij”, tha artistja e cila për momentin po punon më produksion të ndryshme.

Beat Brunch është një koncept i ri në qytet ku artistët më të mirë të talentuar nga Kosova dhe më gjerë, lidhen me artin, modën, muzikën etj. Në kudër të këtyre organizimeve do të mbahen edhe ankande. Një pjesë e rëndësishme e të ardhurave do t’i kushtohet blerjes së një instrumenti muzikor për shkollat publike lokale.

Ngjarja mbahet sot në Hotelin Garden, pra më 15 prill duke filluar nga ora 12:00-18:00./ KultPlus.com

Të ngjajshme