27 Shtator, 2018 - 4:20 pm
Historia dhe bukuritë arkitekturore të qytetit të një mbi një dritareve janë pjesë e albumit fotografik “Berati, një qytet i përjetshëm” të autorit Ndriçim Kulla që u promovua në sallën e konferencave të bibliotekës “Vexhi Buharaja” në Berat.
Në promovimin e librit kryetari i bashkisë, Petrit Sinaj, Prefekti i Beratit, Harilla Dafa, përfaqësues të tjerë të institucioneve vendore, studiues, qytetarë, nxënës të shkollave etj.
Kryetari i Bashkisë, Petrit Sinaj, theksoi se “pas prezantimit të idesë nga Kulla, ne shprehëm mbështetjen tonë pa asnjë rezervë, pasi dalja në dritë e këtij albumi, nëpërmjet pamjeve origjinale dhe mahnitëse, do të ndihmonte në promovimin e vlerave të turizmit kulturor të qytetit tonë, duke prezantuar për vizitorët vendës dhe të huaj historinë e rrallë të qytetit mijëvjeçarë, bukurinë arkitekturore të ndërtimeve të tij, të artit dhe të qytetërimit që ky qytet mbart nga koha në kohë”.
Ndërsa autori Ndriçim Kulla në fjalën e tij u shpreh se “ky album është një promocion që i bëhet vlerave tona kulturore, historike, të cilat nuk njihen nga të huajt dhe që përbëjnë një thesar të çmuar të trashëgimisë sonë”.
“Ideja për të promovuar vlerat e trashëgimisë sonë kulturore më ka lindur nga shtysa e miqve të mi të huaj të cilët e çmojnë si një burim të jashtëzakonshëm të ardhurash atë që ne kemi trashëguar në aspektin historik, kulturor prej të parëve tanë. Nga vizitat që kam bërë nëpër vende të ndryshme të Shqipërisë, mendova se ne kemi një potencial të madh kulturor, i cili nuk mjafton vetëm me botime historike, akademike, por në kushtet e zhvillimit të industrisë turistike, kjo gjë duhej bërë prezent edhe përmes artit të fotografisë”, theksoi Kulla.
Ne , vijoi ai, kemi një trashëgimi unikale, historike dhe kulturore, sidomos të dy qyteteve tona, Gjirokastrës e në veçanti Berati, që kanë vlera të papërsëritshme historike e kulturore, të cilat nuk i gjen në asnjë vend nëpër botë, prandaj këto vlera duhen promovuar.
“Me dashamirësinë e kryebashkiakut Sinaj mendoj se i kemi bërë një shërbim jo vetëm prezantimit të kulturës dhe trashëgimisë sonë historike, por edhe turizmit të qytetit të Beratit”, tha Kulla.