11 Qershor, 2021 - 8:56 pm
Shkruan: Fatlind Duraku
Gjuha është kufi që shpesh na ndan me njerëzit e vendeve të tjera. Mirëpo kjo nuk ndodhi në miqësinë mes Axel von Hoerschelmann nga Berlini dhe piktorit të ndjerë nga Prizreni, Sami Ahmeti.
Ata u takuan në vitin 2004 në një ekspozitë në Prizren, gjatë kohës kur Von Hoerschelmann kryente detyrën e ushtarit. Atëkohë Sami Ahmeti jipte shumë ekspozita për ushtarët që vinin në Prizren në mënyrë që ata të njiheshin me vendin dhe kulturën. Ajo që i kishte bërë përshtypje Von Hoerschelmann ishin pamjet që pikturonte ai: xhamitë, kishat, malet dhe copëza nga rrethina.
Miqësia që u krijua do të kultivohej me ndihmën e gjesteve, mimikës dhe shpeshherë ndihmës së shoqërisë.
Dhjetë vite pas vdekjes së Sami Ahmetit, Von Hoerschelmann arriti që përmes një filmi të shkurtër të paraqes jetën e tij interesante, karakterin dhe talentin e jashtëzakonshëm prej piktori. Ky film u shfaq të enjten me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës me datën 10 qershor të vitit 1999, në ambientet e ambasadës së Kosovës në Gjermani.
Piktori Ahmeti gjente motivet në Prizren dhe rrethinë të cilat i transmentonte pastaj si shpërthyese dhe shumëngjyrëshe. Në film trajtohet ajo se si shtëpitë e zhytura në peisazhe të varfëra, fshatra të ndriçuara nga dielli ose pemë karakteristike janë pjesë e pandashme e punës së tij.
Ai lejonte perceptuesin të krijonte mendimin e vet mbi pikturën dhe e udhëzonte që pikëpyetjet që kishte t`i analizonte vet. Ambasadori i Kosovës në Gjermani z.Cufaj komentoi që arti i Sami Ahmetit ishte ura lidhëse mes shumë oficerëve gjerman dhe Kosovës.
“Abstrakt mirëpo prapë konkret, egër dhe rrëqethës, lufta dhe gjurmët e saj”, kështu shprehet koloneli i atëhershëm i ushtrisë gjermane z. Damke gjatë intervistës për filmin.
Deri më tani nuk ka asnjë biografi të publikuar, asnjë mirënjohje të punës së tij dhe asnjë përmbledhje të ekspozitave edhe pse puna e tij është shfaqur në vende të ndryshme të botës.
Pas filmit, artistja nga Berlini Anne-Francoise Cart, u shpreh se I kishte lënë përshtypje se si Sami Ahmeti si piktor dhe njeri i qëndronte karshi të qenurit i larmishëm, i hapur dhe në kontakt me të tjerët.
“E përkrahi idenë e këtij filmi, mundësisht që të rinjtë të motivohen dhe të njihen me këtë njëri dhe kulturën që ai reprezenton”, kështu tha ish-gjenerali Erhard Bühler.
Von Hoerschelnmann shpreson që përmes këtij filmi të nxis të tjerët të mësojnë më shumë për Sami Ahmetin dhe veprat që ka lënë prapa. / KultPlus.com