22 Mars, 2018 - 4:48 pm
Gili Hoxhaj
Fashion Weekend Skopje është një ngjarje e rëndësishme e modës që organizohet në kryeqytetin e Maqedonisë, në Shkup. Krahas disa disenjatorëve atje, me sfilatë do të prezantohet edhe kreatorja nga Kosova – Berna Saraçi.
Veshjet e Berna Saraçit do të prezantohen në eventin e modës “Fashion Weekend Skopje”, në fund të këtij muaji ndërsa punimet e saj janë pjesë e koleksionit të sezonit pranverë/verë, të cilin ajo e ka emërtuar me emrin “0000”.
Berna Saraçi, e cila njihet për stilin e veshjet e veçanta dhe gjithmonë goditëse në inspirimin që e përthekon kreativitetin e saj, tregoi për KultPlus se pjesëmarrja në Fashion Weekend Skopje është rezultat i ftesës nga organizatorët e kësaj ngjarje. Çfarë e ka shtyrë kreatoren që ta konfirmojë pjesëmarrjen atje, është mënyra e organizimit të kësaj ngjarje e që Saraçi e cilëson edhe si një organizim të rëndësishëm për promovimin e vetes dhe me një nivel të duhur të profesionalizmit.
“Gjate bisedave me organizatoren e Fashion Weekend Skopje u informova më shumë rreth organizimit e detajeve të ndryshme të cilat me lanë përshtypje për profesionalizëm. Duke e parë edhe si platformë të përshtatshme për të promovuar veten, vendosa të marr pjesë. Organizimet si sfilata, ekspozita e te ngjashme, janë shumë të rëndësishme për të gjithë personat qe merren me art. Secila përvojë na rrit artistikisht, andaj pres që edhe pjesëmarrja në FWS të më ngritë profesionalisht”, tregoi kreatorja e re në moshë por shumë e talentuar, Berna Saraçi.
Koleksioni i saj i titulluar “0000” , që do të paraqitet para publikut të atjeshëm, për inspirim ka detaje të vogla të jetës së përditshme.
“Inspirim i këtij koleksioni kanë qenë detajet e vogla të jetës së përditshme. Do te ketë veshje nga më të ndryshmet, të stilit më modern, me prerje të pastra dhe paletë të ngjyrave pastel dhe të zezës” tregon Berna.
Berna rrëfen për KultPlus se do të vazhdojë punën e saj në krijimin e koleksioneve të reja, duke kërkuar gjithnjë e më shumë nga vetja.
Fashion Weekend Skopje fillon më datë 30 mars dhe përfundon me 1 prill. Koleksioni i Berna Saraçit do të prezantohet më 31 mars duke filluar nga ora 20:00, në objektin e librarisë universitare “St. Kliment Ohridski”, në qytetin e Shkupit. / KultPlus.com