17 Tetor, 2022 - 4:00 pm
Në kuadër të “Tetorit të Librit”, të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, si dhe të “Vitit Ali Podrimja”, shpallur këtë fillimviti, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, çeli sot një ekspozitë në nderim të poetit kosovar Ali Podrimja.
Ekspozita, e kuruar me shumë kujdes nga dr. Etleva Domi, zv./drejtore e Bibliotekës Kombëtare, sjell kontributin shumëdimensional të Ali Podrimjes, si poet, përkthyes, redaktor, etj.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Domi u shpreh se “në vitin e 80-vjetorit të lindjes së tij, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, nëpërmjet një ekspozite modeste, sjell sot, në vëmendje të publikut, për herë të parë, të gjithë krijimtarinë e jashtëzakonshme të Podrimjes, prej botimeve të para e deri në botimet më të fundit të veprave të tij”.
Ekspozita paraqet rrugëtimin e krijimtarisë letrare të tij, që nis në vitin 1961 me botimin “Thirrje”, për të vijuar më pas me botime të shumta, ku Podrimja paraqitet në role të ndryshme, herë si autor poezish, esesh, prozash, herë si përgatitës veprash të ndryshme, si edhe jo pak herë edhe si redaktor.
Një vend të veçantë në të zënë edhe vepra e tij, përkthyer në disa gjuhë të huaja, si: frëngjisht, anglisht, gjermanisht etj.”, duke theksuar më tej se “libri, edhe në epokën digjitale, vijon të mbetet për të gjithë mjeti më i fuqishëm i dijes”.
Çeljen e kësaj ekspozite e përshëndetën edhe drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, si dhe studiuesi Behar Gjoka, të cilët vlerësuan një nga poetët më të dashur dhe më të veçantë të letërsisë shqipe.
Kjo ekspozitë vjen jo vetëm për të nderuar e kujtuar veprimtarinë letrare të poetit Ali Podrimja, por edhe për të sjellë në qendër të vëmendjes poezinë, botën magjike të fjalës. / atsh / KultPlus.com