2 Tetor, 2017 - 2:53 pm
Biblioteka Kombëtare në Shqipëri, tashmë në homazh të albanologut Robert Elsie, ka hapur ekspozitën me kontributin e tij të jashtëzakonshëm, shkruan KultPlus.
Veprat dhe artikujt e tij të shumtë studiues e të përkthyer tashmë përbëjnë këtë ekspozitë të hapur nga Biblioteka Kombëtare, të cilët përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kanë shkruar se veprat e Robert Elsie i cili ndërroi jetë dje në moshën 67 vjeçare përbëjnë një fond të vyer në fushën e albanologjisë dhe studimeve mbi letërsinë e kulturën mbarëshqiptare.
“Robert Elsie, krahas kontributit të tij të çmuar si albanolog, studiues e përkthyes do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje nga publiku shqiptar edhe për vetëdijen dhe kujdesin e veçantë që tregonte për pasurimin e arkivave të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë me dhurimet e veprave e artikujve të tij të shumtë studimorë. Ato përbëjnë sot një fond të vyer në fushën e albanologjisë dhe studimeve mbi letërsinë e kulturën mbarëshqiptare. Në fondet e Bibliotekës Kombëtare ruhen mbi 150 libra dhe artikuj shkencorë, kryesisht në fushën e albanologjisë, antropologjisë, përkthimeve nga thesaret e folklorit shqiptar, por edhe përkthime të autorëve të letrave shqipe, ku spikat kontributi i rëndësishëm përmes përkthimit të veprës epike të Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcis”. Tashmë Biblioteka Kombëtare, në homazh të këtij personaliteti të shquar, ka çelur një ekspozitë me kontributin e tij të jashtëzakonshëm”, thuhet në njoftimin e Bibliotekës Kombëtare./ KultPlus.com