3 Korrik, 2018 - 2:51 pm
Prej 5 korrik deri më 25 gusht, Galeria Kombëtare e Kosovës organizon ekspozitën e artistit Sislej Xhafa me titullin “Love you without knowing” (Të dua pa e ditur), kuruar nga Jérôme Sans, shkruan KultPlus.
“Love you without knowing” është ekspozita e parë e Sislej Xhafës, artistit kosovar të njohur ndërkombëtarisht, në atdheun e tij. Njëkohësisht kjo do të jetë ekspozita ndër më të mëdhatë që është organizuar në vend, pasi që, do të hapet në 5 lokacione të ndryshme të Kosovës.
“Bilbili” është njëra ndër ngjarjet e të enjtes së 5 korrikut që do ta sjellë Sislej Xhafën në Kuvendin e Kosovës. Ngjarja nis me fillim nga ora 18:00 ndërsa do të jetë vetëm me ftesa e krejt kjo vjen në bashkëpunim me Ansamblin e Komunës së Gjakovës.
Rikujtojmë, se kjo është hera e parë që Sislej Xhafa vjen me ekspozitë në Kosovë, ndërsa vlen të theksohet se vitin e kaluar Sislej Xhafa erdhi në Kosovë në kuadër të eventit të organizuar nga KultPlus “Ta zbardhi ftyrën”- edicioni i parë i ciklit të rrëfimeve./ KultPlus.com