31 Maj, 2019 - 2:00 pm
Në përvjetorin e 20-të të çlirimit dhe hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë pritet të marrin pjesë personalitete të ndryshme nga e gjithë bota.
Sipas burimeve të Indeksonline në këtë përvjetor jubilar do të marrë pjesë edhe ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Bill Clinton.
Gjatë vitit 1999 ShBA në krye me ish-Presidentin Clinton kanë qenë akterët kryesor në vendimin për bombardimin e ish-Jugosllavisë nga Aleanca Veriatlantike NATO që atëbotë udhëhiqej nga gjenerali i famshëm amerikan Wesley Clark.
Përveç ish-Presidentit Clinton në ditën e çlirimit të Kosovës më 12 qershor pritet të jetë edhe ish sekretarja e ShBA-së Madeline Albright.
Në kohën e intervenimit dhe të çlirimit të Kosovës, zonja Albright ishte sekretare e shtetit dhe zyrtarja kryesore amerikane që i dha shtytje fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.
Kjo është hera e katërt që Bill Clinton po e viziton Kosovën,ish-Presidenti Amerikan për herë të fundit e kishte vizituar Kosovën para 10 viteve, më 1 nëntor 2009 ku ishte pritur në mënyrë madhështore nga institucionet dhe qytetarët e Kosovës.
Po atë ditë ishte përuruar edhe shtatorja e tij në bulevardin Bill Clinton në kryeqytetin e Kosovës.