17 Qershor, 2022 - 2:54 pm
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në kuadër të Konferencës shkencore me rastin e 140-vjetorit të lindjes së një prej personaliteteve më të rëndësishme të kombit, Fan S. Noli, organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, hapi sot një ekspozitë që synon të sjellë në vëmendje kontributin e tij të jashtëzakonshëm.
Kjo ekspozitë nga fondi i Bibliotekës Kombëtare tenton të përmbledhë diapazonin e rrallë të Nolit si njeriu i letrave, dramaturg, poet, shqipërues, publicist, muzikant, por edhe politikan e klerik.
Si njeri i letrave, Noli ka shkruar dhe ka përkthyer tekste të shumëllojshme nga zhanre të ndryshme, si dhe ka kontribuar në publicistikën e kohës si drejtues, redaktor dhe shkrues nëpër disa të përkohshmeve. Nisi duke përkthyer dramaturgji, më pas përktheu Samiun, tekste fetare ortodokse dhe vepra madhore të letërsisë botërore nga Shekspiri, Khajami dhe Cervantesi. / KultPlus.com