Blerina Kllokoqi-Rugova shpërndanë ‘vizën e fundit’ për 10 vjetorin e karrierës

18 Korrik, 2018 - 10:12 pm

Jeta Zymberi

Disenjatorja Blerina Kllokoqi-Rugova, ndonëse ka 10 vite që është në tregun shqiptarë, ajo vazhdon të mbajë fuqishëm vendin që e ka zënë qysh në fillim, shkruan KultPlus.

Jemi mësuar që Kllokoqi – Rugova të na sjellë gjithmonë koleksione të veçanta përmes sfilatave ende më të veçanta, por kësaj radhe do të shohim diçka krejt ndryshe sipas disenjatores.

Ajo për këtë jubile ka vendosur të sjellë një mbrëmje madhështore me një koleksion të mahnitshëm.

Për gjithë këto vite të suksesshme, ajo falënderon njerëzit që ka përreth.

“Çdo punë, çdo koleksion dhe çdo fustan që e bëjë është inspirim për koleksionin e ardhshëm. Gjithë këtë sukses që e kam arritur për këto 10 vite është falë stafit profesional që e kam dhe përkrahjes së familjes”, është shprehur disenjatorja Kllokoqi – Rugova për KultPlus.

Ajo përveç që është përkujdesu që veshjet të jenë sa më kreative, një gjë të tillë e ka bërë edhe me ftesat për të ftuarit special në këtë mbrëmje.

Ftesat janë në formë “vizash”, duke iu përshtatur kështu edhe gjendjes aktuale politike në vend, ndonëse sot kjo çështje shkoi një hap para.

“Ky vit do të jetë krejt ndryshe. Ftesa është konceptuar si viza e fundit që jo vetëm unë si brend, por çdo biznes dhe çdo qytetarë me lëviz i lirë pa viza. Ftesa është e konceptuar si pasaporta e Republikës së Kosovës, ftesa është në vizën e fundit. Normalisht që gjithçka lidhet me vizionin e presidentit Ibrahim Rugovën, më dëshirën e tij që Kosova të jetë vend i pavarur dhe qytetarët të udhëtojnë të lirë”, është shprehur tutje disenjatorja për KultPlus.

Andaj, kjo mbrëmje e cila po tërheq interesimin e njerëzve, do të mbahet në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.
Mbrëmja mbahet më datë 20 korrik, ndërsa eventi do të jetë privat. Kllokoqi – Rugova premton që asnjëherë më herët nuk është bërë një event i tillë. Gjithçka mbetët të shihet më datë 20 korrik. /KultPlus.com

Të ngjajshme