5 Dhjetor, 2022 - 2:58 pm
Në bibliotekën publike “Thimi Mitko”, në Korçë, është hapur ekspozita “Bota është Grua”. Fotografja greke Athina Perka solli imazhet fantastike të grave e vajzave të fotografuara në 74 vende të ndryshme të botës.
Në një postim online, kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, u bën thirrje artdashësve të mos e humbin këtë ekspozitë, që e cilëson si mbresëlënëse.
Ndërsa vetë autorja është shprehur për punën e saj se ato janë foto që lavdërojnë gratë duke treguar herë me zë e herë në heshtje, se ato mbeten gjithmonë luftëtare për jetën, pavarësisht nga raca, ngjyra, feja, origjina kombëtare, mosha, gjatësia, arsimimi, statusi familjar apo shoqëror. Ato janë gratë që luftojnë çdo ditë dhe pretendojnë në praktikë pozicionin që meritojnë.
Me fotot e saj, Athina Perka sjell fenomene që nxjerrin në pah kushtet në të cilat gjysma e popullsisë femërore të planetit është e detyruar të jetojë.
Për fat të keq, deri më sot, si në shoqëritë e Lindjes ashtu edhe në ato të Afrikës, përpjekjet për të siguruar të drejtat e tyre elementare përballen me ideale, paragjykime dhe varfëri dramatike.
Nëpërmjet kësaj ekspozite, udhëtohet në thellësi të Lindjes dhe të Afrikës, duke takuar gra të të gjitha moshave në momente të përditshmërisë së tyre. Qëllimi i fotografes është të nxjerrë në pah karakterin dinamik të gruas dhe të aktivizojë ndjeshmërinë e fshehur brenda saj. /atsh / KultPlus.com