18 Dhjetor, 2017 - 1:00 pm
Në qendrën e Arteve, “Ibrahim Kodra”, në Melide të Zvicrës është hapur ekspozita “Bukuritë Natyrore të Kosovës”, ekspozitë kjo që synon të forcojë dhe zgjerojë marrëdhëniet sociale dhe kulturore në mes Konfederatës Zvicerane dhe Republikës së Kosovës.
Organizimi i kësaj ngjarje u bë si rezultat i bashkëpunimit me Komunën e Melides, Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë dhe Muzeun Kombëtarë të Republikës së Kosovës, ndërsa ky projekt i’u dedikua vitit 2017, i cili është shpallur nga Asambleja e 70-të e Kombeve të Bashkuara si Vit Ndërkombëtarë i Zhvillimit të Qëndrueshëm të Turizmit për Zhvillim.
Ky aktivitet u hap nga Drejtoresha e Artit të Fondacionit, “Ibrahim Kodra”, Maria Pacolli, e cila edhe prezantoi nismën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa me një video mesazh të pranishmëve i’u adresua edhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Turizmin Botëror, Taleb Rifai.
Turizmi sot është bërë një katalizator i rëndësishëm i transformimit pozitiv, që mund të kontribuojë në një zhvillim të qëndrueshëm në ekonomi, shoqërim, ambient dhe fusha të tjera.
Ai, gjithashtu, mund të forcojë paqen, duke mbështetur mirëkuptimin në mes popujve, rritjen e vetëdijes së trashëgimisë së pasur në mes kulturave të ndryshme dhe duke ftuar gjithsecilin, që të vlerësojë vlerat e tij.
Në këtë ekspozitë ka marrë pjesë edhe ambasadorja e Republikës së Kosovës në Bern, Nazane Breca, e cila ka theksuar se “kultura bën një kontribut të madh, që Kosova të njihet më shumë dhe që të zbulohen thesaret e saj”.
Ekspozita, “Bukuritë Natyrore të Kosovës” në Qendrën e Arteve në Fondacionin “Ibrahim Kodra” ka prezantuar fotografitë e realizuara nga fotografët ndërkombëtarë dhe pjesëmarrësit në garën e fotografisë më të mirë për promovimin e Kosovës për vitin 2017, e cila ishte organizuar pak kohë më parë nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Autorët e fotografive të ekspozuara në këtë ekspozitë janë si më poshtë: Aleksandra Hiltmann, Arben Islami, Erza Rudi, Jeta Abazi Gashi, Maria Pacolli, Marieke Lebet-Booij, Shkelzen Rexha, Yllka Fetahaj, Agon Nimani, Arian Mavriqi, Armend Nimani, Bleron Caka, Dea Lajqi, Sehida Miftari.
Në ekspozitë janë shfaqur edhe punime tjera artistike, duke përfshirë artistin kosovar, Sylë Mujaj. Pas përfundimit të ekspozitës është shërbyer edhe ushqim tradicional nga Kosova. Ekspozita do të mbetet e hapur deri më 14 Janar, 2017./KultPlus.com