24 Nëntor, 2017 - 1:58 pm
Më 8 dhjetor në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë “Çifte Hamam”, artisti shqiptar Burhan Ahmeti, hapë ekspozitën e tij të njëmbëdhjetën me radhë personale.
Në një rrëfim të shkurtër për KultPlus, Ahmeti, dha detaje interesante në lidhje me ekspozitën që do të qëndroj e hapur përgjatë dy javëve në Shkup.
“Do të ekspozoj diku rreth 30 piktura dhe 40 grafika. Pikturat janë realizuar në teknikën akrilik në pëlhurë, në letër dhe vaj në pëlhurë. Ndërsa grafikat në teknika të ndryshme edhe atë: litografi, akuatintë, gjilpërë e thatë, drugdhendje dhe me teknikë të kombinuar”, pohoi për KultPlus, Ahmeti, duke vazhduar të thotë se kryesisht veprat janë të realizuara viteve të fundit.
Kjo ekspozitë është kuruar nga Tatjana Bundalevska, ndërsa hapet më 8 dhjetor në “Çifte Hamam”, dhe do të qëndroj e hapur deri më 17 dhjetor./ KultPlus.com