25 Janar, 2019 - 10:10 pm
Alberina Haxhijaj
Galeria Kombëtare e Kosovës sot ka mirëpritur ekspozitën “Burrneshat”. Kjo ekspozitë e cila ka bërë së bashku katërmbëdhjetë artiste nga Britania dhe gjashtë artiste nga Kosova si dhe kolektivin HAVEIT, është inicuar nga Këshilli Britanik, ndërsa veprat e artistëve britanike janë marrë nga koleksioni të cilin e posedon British Council.
Vjehrra e artistes Alije Vokshi qëndron përballë baroneshave të Madame Yevonde në hyrje të Galerisë Kombëtare. “INA”, piktura e cila është pjesë e koleksionit të Galerisë, paraqet një grua e cila mbanë një shami në kokë dhe duart njëra mbi tjetrën. Në anën tjetër një nga zonjat që i qëndron përballë është zonja e Michael Balkon, ajo me një armë në duar është portretizuar si hyjnesha romake Minerva.
Mirëpo, përderisa këto piktura mund të vështrohen për bukurinë e tyre disa hapa më tutje prapa bukurisë fshihet një gjendje e cila sjellë tension dhe reagim. Portretet e pesë vajzave të reja e të grimosura të paraqitura si “Spice Girls” nga Clare Strand, portretizojnë situatën ku vajzat e reja, edhe pse ndjehen të ngulfatura në mënyrë që të pranohen në shoqëri, vishen dhe sillen si gra të rritura. Në anën tjetër modelja e realizuar nga Alketa Xhafa –Mripa paraqitet si një kukull, të cilën duke e vënë në prizë mund ta ndizesh dhe ta fikësh, ta lësh të flasë ose ta bësh të heshtë. Një vepër kjo e cila erdhi si reagim nga artistja në vitin 2007, një ditë pas 8 marsit, Ditës së Gruas.
“Me simbole të vogla jam munduar që të rrumbullakojë dhe të paraqes gruan shqiptare”, shprehet artistja derisa bisedon edhe me të pranishmit që afrohen për të parë punën e saj.
“Në ekspozitë ka emra për të cilat unë kam mësuar pasi që i kam pasur në literaturë si Tracy Emin apo Sarah Lucas. Prandaj të ekspozojë punën time se bashku me to, e sidomos në Kosovë është nder i madh. Njëkohësisht është kënaqësi edhe me artistët shqiptare, punët e të cilave i njoh dhe i çmoj”, u shpreh ajo për KultPlus duke cilësuar se akoma ka punë për tu bërë për emancipimin e gruas në shoqëri. Diçka që e kërkon edhe artistja Ann Elliot e cila përmes nallaneve na fton që të ecim në këpucët e saj, të cilat lënë gjurmët e dikujt tjetër, të një kuratoreje.
Kjo ekspozitë vë në pah më shumë sesa vetëm çështjen e pozitës së gruas e që vërehet qartë te artistja shqiptare Arbana Hajredinaj me videon “30 %” e që tregon përfaqësimin e grave në Parlamentin e Kosovës. Kjo ekspozitë tregon ofshamën e grave përmes Zake Prelvukaj e cila largon katranin nga lëkura. Ju mëson që të mos kërkoni falje shpesh, sepse atëherë ajo do të humb vlerën përmes Anetha Hamilton dhe karriges së saj, këmbët e të cilës janë kopje e këmbëve të artistes. Kjo ekspozitë tregon se diçka nuk është në rregull përmes gruas që sjellë Tracey Emin, prej vaginës së të cilës nuk kuptohet a po dalin apo po hyjnë monedhat por edhe përmes videos “Nuk dëgjojë asgjë” të Rudina Xhaferit në të cilën ajo çep veshin e saj.
Me një aranzhim që i ngjan një beteje, sipas drejtoreshës së Galerisë, Arta Aganit kjo ekspozitë synon të shfaq ndërrimet mes roleve, ku gruaja nuk është vetëm një formë dhe burri nuk është vetëm një funksion. Ajo tregon se kjo ekspozitë e fragmentuar në disa faza bënë që gratë artiste të ndërrojnë nga njëra fazë në tjetrën, nga forma deri të funksioni.
“Në pjesën e titullar ‘tejkalimi i kufirit gjinor’ e cila gjendet në katin e dytë të Galerisë, artistet e shfaqura tashmë e kanë kuptuar rolin e tyre në shoqëri si gra artiste. Ato me krenari ekspozojnë artin e tyre duke mos kritikuar dhe ankuar. Ato janë në krye të muzeve dhe galerive dhe nuk janë të shqetësuara për barazinë gjinore në art, sepse në këtë fazë ajo duket e parëndësishme”, theksoi Agani.
Tek ‘tejkalimi i kufirit gjinor’ hynë disa artiste pjesë e kësaj ekspozitë si kolektivi HAVEIT, të cilat edhe në këtë ekspozitë ishin të pranishme duke e rruar patriarkalitetin, pastaj Flaka Haliti me “Bolet e mia” apo artistja Sarah Lucas me vezët e fërguara.
Kjo ekspozitë nuk mund të kalojë vetëm me një shikim pasiv, theksoi ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell në hapje të kësaj ekspozite. Sipas tij, çështja për të cilën duhet të mendojmë e që e përcjellë edhe këtë ekspozitë është sesi trajtohet gjysma e shoqërisë sonë.
“Të gjithë ata që do të vijnë në këtë ekspozitë do të marrin nga një porosi të ndryshme. Porosia që unë mora, është ajo e guximit dhe e sfidës. Disa nga veprat janë shumë personale dhe disa janë shumë sfiduese. Unë jam i nderuar që i njoh edhe personalisht disa nga artistet dhe nuk me befason që punët e tyre janë reagim i guximit dhe sfidës. Ne duhet që të reagojmë ndaj kësaj, të sfidohemi nga to dhe të mendojmë më ndryshe kur të largohemi dhe jo njëlloj siç kemi menduar kur kemi ardhur”, theksoi ai.
Ekspozita “Burrneshat” do të qëndrojë e hapur deri më 24 shkurt./ KultPlus.com
https://kosovo.britishcouncil.org/programmes/arts/perceptions