Calovski dhe Stepken erdhën me një ligjëratë interesante në ‘Shkolla Verore si Shkollë’

12 Korrik, 2017 - 11:41 am

Në kuadër të programit të Shkolla Verore si Shkollë, mbrëmë janë prezantuar Yane Calovski dhe Angelika Stepken, ngjarje kjo e cila ndodhi në lokalet e Klubit të Boksit në Prishtinë.

Artisti nga Shkupi, Yane Calovski u shpreh i kënaqur për pjesëmarrjen e tij në Shkolla Verore si Shkollë, e cila organizohet nga Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë “Stacion”. Ai në prezantimin e tij u fokusua në instalacionin hulumtues me të rinjtë arkivit të humbur të Planit Urbanistik të Shkupit, të dizajnuar nga Kenzo Tange në bashkëpunim me një numër të arkitektëve dhe urbanistëve vendorë dhe Jugosllavë.

Të pranishmëve në këtë ligjëratë ai u foli për pasojat e zjarrit të prillit në vitit 2017, i cili shkatërroi ish-Institutin Shtetëror për Planifikim Urban dhe Arkitekturë në Shkup, si dhe për aksionet qytetare, të iniciuar nga artistët dhe mbështetur nga shumë individë, e organizata shtetërore dhe të pavarura të artit, arkitekturës e kulturës, për të rimarrë, përzgjedhë, organizuar dhe emëruar dokumentacionin e shpëtuar nga ‘bunker dhoma’ e Institutit ku të gjitha dosjet e projektit ishin të dokumentuara me kujdes ndër vite.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu sot dhe që jam pjesë e Shkollës Verore si Shkollë. Për mua është kënaqësi të ndajë me ju përvojën time në procesin e ripërtrirjes së materialeve nga “bunker dhoma” si dhe për krijimin e një koleksioni pas zjarrit, të qasshëm për publikun”, tha Yane Calovski gjatë ligjëratës, duke treguar edhe fotografi dhe video të gjendjes pas zjarrit të ish-Institutit Shtetëror për Planifikim Urban dhe Arkitekturë në Shkup.

Pas tij fjalën e mori Angelika Stepken, drejtoreshë e “Villa Romana”, një rezidencë artistësh gjermanë në Firencë. Ajo gjatë ligjëratës së saj u fokusua në prezantimin e institucionit të cilin e udhëheqë “Villa Romana”. Sipas saj “Villla Romana” është një institucion i cili e vlerëson hulumtimin individual dhe shkëmbimin në perspektivat sociale dhe politike.

“Është kënaqësi shumë e madhe për mua të jem në mesin e gjithë këtyre artistëve nga vende të ndryshme. Për mua ka qenë përvojë shumë e mirë që në “Villa Romana” të punojë me artistë nga Kosova”, tha Angelika Stepken gjatë prezantimit të saj.

Shkolla Verore si Shkollë organizohet nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë. Shkolla Verore si Shkollë ka filluar më 10 korrik dhe do të zgjasë deri më 24 korrik. / KultPlus.com

Të ngjajshme