29 Shtator, 2023 - 1:38 pm
Nga Albert Vataj
Ishte ndoshta nga më famkëqinjtë e penelit. Një aventurier i thekur. Gjithnjë i apasionuar si pas tablosë dhe pikturës ashtu edhe pas historive të tendosura të dashurive dhe sherreve. Një shpirt i ndjeshëm dhe shumë i dhunshëm, një zemër e flakëruar nga ngjyrat dhe e përcëlluar nga zjarri i rrezikut. Caravaggio. Ai gjithë jetën vetëm iku, dashuroi zellshëm, u kacafyt në emër të pasionit dhe të veseve, derdhi gjak dhe kalli frikë. Ngado dhe sido ai mbeti një dhe i vetëm, krejt ndryshe nga të tjerët, për nga stili i jetës dhe i artkrijimit, përnga forca dhe mënyra e të dashuruarit dhe e përfshirjes së vetes në telashe pafund, në zënka dhe qasje larushitëse, të cilat i ngasi dhe e përndoqën deri në varr.
Caravaggio, ndoshta është një prej rebelëve të historisë së artit. Jeta e tij si piktor dhe si dashnor është e stuhishme dhe e mbushur përplot me dritëhije, si vetë piktura e tij, theks qe gjallon në kolanën artistike që kjo penelat e barokut la në memorien e artit. Edhe vetë vdekja më 18 korrik 1610, vazhdon të mbetet mister edhe sot.
Caravaggio pikturimi me drite hije
Caravaggio ka lindur më 29 shtator 1571 dhe ka vdekur më 18 korrik 1610. Karavaxhio është përfaqësuesi i parë i teknikave të kontrastit të hije dritës në pikturën Baroke, e cila u quajt dhe kiaroskuro apo dritëhije. Ai u bë i famshëm dhe për një jetë agresive dhe të egër. Është thënë se ai ka vrarë një burrë dhe për këtë arsye është larguar nga Roma. Vdekja e tij ka qenë misterioze në 1610 dhe i ka intriguar dijetarët për një kohë të gjatë. Një nga teoritë është se u vra në një plazh të braktisur toskan dhe një tjetër është se u gjet i shembur në këtë breg për shkak të një sëmundje. Antropologët Italian, vetëm disa kohë më pare, njoftuan se kishin gjetur mbetjet e tij. Ai studjoi dhe u formua si piktor në Milano dhe ishte i dashuruar pas Ticianit. Në 1592, në moshën 21 vjeçare, Karavaxhio u vendos në Romë. Ajo ishte e zhurmshme, plot piktorë dhe dekoratorë. Gjatë shekujve XVI dhe XVII u ndërtuan shumë kisha dhe pallate, të cilat prisnin të mbusheshin me vepra arti. Jeta e Karavaxhios u zhvillua përmes aventurës. dhe ajo qëndron mes dritës dhe errësirës. Ai ishte një burrë me natyrë pasionante, gjë e cila e çoi deri në vrasje. Qeveria e asaj kohe vuri një shpërblim për kapjen e tij. Kjo bëri që të fshihej në mënyrë të vazhdueshme. Gjithsesi të gjithë studiuesit e tij kanë zbuluar se kjo gjendje e vështirë për të jetuar në liri të plotë, nuk ndikoi në krijimtarinë e tij. Kjo bëri që të realizonte me gjendje thellësisht të zjarrtë të gjitha pikturat e tij baroke. Kjo është mrekullia e Karavaxhios, një mrekulli e shenjtë e portretizuar në përmasa që vetëm ai i zotëronte. Pikturat e tij janë shprehje të njohjeve të thella mbi artin e të pikturuarit. Ai kombinoi vëzhgimin realist të gjendjes njerëzore: si fizike dhe emocionale duke përdorur dramaticitetin e dritave. Kjo shkaktoi një ndikim të madh mbi shkollën baroke të pikturës. Pas manierizmit që kishte drejtuar artin për gjatë një shekulli, u shfaq Karavaxhio, i cili u shqua si një risi në pikturë. Ai shfaqi natyralizmin radikal, i cili karakterizohej nga pikturimi me dritë hije dhe dramaticitet emocional madje dhe teatror, ku kalimi i dritës në terr bëhej me vlera të vogla dhe mesatare. Ndikimi i tij në stilin e ri barok, që përfundimisht doli nga rrënojat dhe mënyrat e veçanta të manierizmit, ishte i thellë. Ajo mund të shihet direkt apo indirekt në punën e artistëve të tjerë të mëdhenj europianë si: Rubens, de Ribera, Bernini. Shumë artistëve që e ndoqën i‘u dha emri karavaxhistët.
Stili
Studiuesit e kanë përcaktuar risinë stilistike të Caravaggio-s si një stil me vlerë, me thjeshtësi dhe vëmendje në detajet natyrore, gjë e cila e afron pikturën e tij më pranë me natyralizmin e Gjermanisë sesa të formalitet të stilizuar dhe madhështisë romake. Realizmi i tij mbi temat fetare nxjerr në pah anë shpirtërore të shquara. Studiuesit e tij kur i veçojnë temën fetare nga karakteret e pikturuara mendojnë se ajo nuk duket një pikturë fetare në të gjitha detajet…zbulon një vajzë të ulur në një fron prej druri… tharjen e flokëve …zbulon pendimin, vuajtjet, premtimin për shpëtim…është realizëm ose natyralizëm intensiv, për të cilat Karavaxhio është i famshëm. Ai preferoi të krijojë subjektet e tij siç i sheh ata, me të gjitha defektet e tyre natyrore dhe nuk i idealizoi, nuk i tjetërsoi, nuk i modeloi. Kjo e lejoi të shfaqë të plotë talentin e tij virtuoz. Për kohën ky ishte një ndryshim i madh me klasikët e tjerë si me praktikën e pranuar standarde dhe idealizmin klasik të Michelangelos. Caravaggio vuri në diskutim në njërën anë risinë e tij dhe në anën tjetër, atë çka ishte konfirmuar si, art klasik. Realizmi i tij ishte një tipar i rëndësishëm i pikturave të veta gjatë kësaj periudhe. Me krijimtarinë e këtij lloji i‘u ktheu shpinën përgatitjeve të gjata tradicionale në Italinë Qendrore. Ai e preferoi praktikën veneciane për të punuar direkt me vajra mbi subjektin e vizatuar, qartësoi teknikën e njohur të hije-dritës dhe i dha asaj një pushtet të madh, e ktheu në një teknikë përfundimtare, errësoi hijet dhe i transferoi mbi subjekt, ku u përplasën me kontrast të plotë mbi një bosht të dritës. Dhe ky ishte një verbim. Kjo i dha atij popullaritet të madh. Ai punonte shkathët dhe shumë shpejt në krahësim me procesin e sotëm në pikturë. Ai punonte direkt mbi kanavacë dhe trajtonte ngjyrën me fundin e furçës së përpunuar. Mbijetojnë shumë pak vizatime të Caravaggio-s.
Kush është përgjegjës për vdekjen e Caravaggios?
Profesori Paceli nga universiteti i Napolit pohon se artistin e ka vrarë rendi i kalorësve maltezë, nga hakmarrja. Sipas dokumenteve të cilat i ka gjetur në një arkivë sekrete të Vatikanit kisha e atëhershme e Romës ka pohuar se ka parë se si kufoma e tij është hedhur në det në afërsi të vendit Palo. Caravaggio ishte i njohur për natyrën e tij të dhunshme dhe besohej që ka qenë shënjestër të rendit maltez pasi kishte plagosur njërin prej shigjetarëve të tyre në një përleshje të mëhershme.
“Po të kishte vdekur Caravaggio bë Porto Erkolo edhe do të varrosej aty, veçanërisht, nëse marrim parasysh faktin që vëllai i tij ishte prift. Nuk do të arrinim në një gjendje për të hamendësuar se ku e ka varrin”, ka deklaruar profesori Paceli për gazetën britanike ‘Daily Telegraph’. Eksperti për Caravaggion në kolegjin Uilliam dhe Meri në SHBA, Xhon Spark pohon se ideja se artistin e kanë vrarë me qëllim kalorësit e tavolinës së rrumbullakët është joreale dhe konsideron që gjasat janë më të mëdha që atë e kanë vrarë rastësisht, ndërsa më pas kufomën e tij e kanë hedhur në det. Në vitin 2010 policia në Toskanë ka punuar përsëri në hetimin e vrasjes së artistit Caravaggio dhe ka gjetur mbetje të eshtrave në një varrë të një kishe në Porto Erkolo. Atëkohë kanë këmbëngulur që ishin 85 për qind të sigurt që eshtrat e zbuluar i takonin artistit, por atë pohim e kanë konsideruar si të pavërtetë shumë historianë të shquar.
Pas vdekjes
Kur ai vdiq kishte famë, por ajo ishte famëkeqe. Caravaggio ishte harruar pothuajse menjëherë pas vdekjes. Vetëm në shek. XX u rizbulua rëndësia e tij në zhvillimin e artit Perëndimor. Nga biografshkruesit mund të selektosh shumë thënie e situata të kundërta ndaj Caravaggio-s. Piktori i njohur Nicolas Poussin filloi të bërtas dhe duke thirrur me zemërim është dëgjuar të thotë: “Unë nuk do ta shikojë më veprën e tij. Ai është i pështirë. Ky njeri ka lindur për të shkatërruar artin e pikturës. Ai bën një pikturë vulgare që mund të jetë vetëm punë e një njeriu të rëndomtë. Shëmtia e pikturave të tij do ta dërgojë në ferr. “ Kjo tregon se piktura e tij u kritikua dhe u thumbua për një kohë të gjatë. Kjo bëri që ai të harrohej për dy shekuj. Federico Zuccari e akuzonte si një imitues dhe përdorues i ngjyrave kuqërrme. Ai kishte dhe shumë probleme të shpeshta me komisionet e fetare, kur merrte porosi mbi vepra të ndryshme, pasi pikturoi me realizëm modele të gjalla të kohës së tij. Modelet ishin kërkesë themelore e artistit për realizmin e veprave. Ai mendonte se ata bënin dhe vetrealizimin e piktorit. Disa kanë qenë të identifikuar si Mario Marko dhe Francesco Boneri, të dy artistë. Ata i paraqiti si figura të ndryshme në punimet e hershme laike, por edhe si engjëj. Modelet e tij femra ishin ato që i shkaktuan më shumë probleme me kishën. Fillide Melandroni, Anna Bianchini dhe Maddalena Antognetti idhin konkubinat e Karavaxhios dhe të gjitha prostituta të njohura, të cilat paraqiten si figura femërore fetare duke përfshirë Virgjëreshën Maria dhe shenjtore të ndryshme. Vetëm në ekspozitën e Milanos e 1951, kur puna e tij u shfaq në ekran për një publik të zgjedhur u arrit që kritika e kohëve moderne të tregohej e vetëdijshme për thellësinë artistike që përfshihej në të gjithë veprat e Caravaggio-s. / KultPlus.com