Carlos Cruz-Diez, artisti i misterit të ngjyrave

30 Korrik, 2019 - 4:00 pm

Carlos Cruz-Diez, artisti i njohur nga Venezuela, i cili me veprat mbresëlënëse dhe shumështresore ka ndryshuar konceptin për dritën dhe ngjyrat duke ndihmuar në perceptimin e asaj që u bë e njohur si Arti Kinetik dhe Op-Arti, ka vdekur në moshën 95-vjeçare.

“Dashuria jote, gëzimi yt, mësimet e tua dhe ngjyrat do të mbesin gjithmonë në zemrat tona”, është thënë në një njoftim të familjes në faqen e fondacionit të artit “Cruz-Diez”. Aty është bërë e ditur se ceremonia e varrimit do të jetë private dhe nuk janë dhënë detaje për shkaqet e vdekjes, të shtunën.

Cruz-Diez mori famë ndërkombëtarisht në vitin 1965 kur paraqiti artin e tij në ekspozitën “The Responsive Eye” të kuruar nga William Seitz në Muzeun e Artit Modern në New York. Ekspozita krijoi një furi mediatike në atë kohë, pasi që publiku u mahnit nga efektet marramendëse dhe sfiduese të artit abstrakt që ekspozohej. Aty do të ekspozoheshin veprat e artistëve nga Amerika dhe Evropa. Cruz-Diez ishte paraqitur me “Physichromie Number 116” e realizuar me vija plastike të ngjyrosa me temperë në një sipërfaqe kartoni. Vepra e tij ishte në mesin e një numri të vogël të artistëve nga Amerika Latine. Shumë kritikë të artit e përçmuan ekspozitën.

“Pikturimi është i mërzitshëm për mua. Kështu që fillova të bëj diçka tjetër. Ajo që kam tentuar që të bëj është një lidhje dialektike në mes të shikuesit dhe veprës. Kur je përballë një vepre të Rembrandt, atëherë t’i sheh atë që ai ka krijuar. Me artin të cilin krijoj unë ju shihni një situatë, një çast e që ndryshon sepse drita vazhdimisht ndryshon”, kishte thënë Cruz-Diez në vitin 2010 në një për “ARTnews”. /KultPlus.com

Të ngjajshme