22 Gusht, 2021 - 10:31 pm
Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka shpalosur përshtypjet e tij rreth dy ekspozitave si: ‘GrandArt’ dhe ‘Nuk është diçka e njëanshme’, ekspozita këto tejet të veçanta e të cilat në vete ngërthejnë në vete rrugëtime krejtësisht të ndryshme por shumë të bukura, përcjellë KultPlus.
“Dy ekspozita të veçanta, dy rrugëtime magjepsëse”, ka shkruar Çeku.
KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:
Dy ekspozita të veçanta, dy rrugëtime magjepsëse
Sot vizituam dy ndër qendrat tona të artit pamor, Galerinë Kombëtare dhe Galerinë e Ministrisë së Kulturës.
Bashkë me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, deputetët Fitim Uka dhe Ardian Gola dhe këshilltarin politik Liburn Jupolli patëm rastin të zbulojmë botën e harruar dhe “të fshehur” të një epoke të tërë nga vitet e 70-ta të shekullit të kaluar e deri tek vitet e pasluftës me ekspozitën e veprave të Hotel Grand, të cilat u bënë pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare në vitin 2020. Aty u pritëm nga Kryetarja e Këshillit Drejtues të GKK-së Zake Prelvukaj dhe u.d. Drejtori i GKK-së Naim Spahiu.
Ekspozita “GrandArt” jo rastësisht është ndër më të vizituarat, ajo përfshinë veprat e emrave kulmorë të artit, si Shyqri Nimani, Agim Çavdarbasha, Fatmir Krypa, Gjelosh Gjokaj, Mikel Gjokaj, Muslim Mulliqi, Rexhep Ferri e Simon Shiroka ndër të tjerë.
Vizitën e dytë e realizuam në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, te Qafa. Aty zbuluam botën e veçantë të Adem Dërmakut, një zë me shumë karakter dhe një gjuhë shprehëse pamore që përshkon tregime nga personale deri tek ato shoqërore të një personaliteti që vepron jashtë Kosovës, përplot me tregime për Kosovën. Ekspozita “Nuk është diçka e njëanshme” është kuruar nga Eleni Laperi, ndërsa sot në Galeri u pritëm nga koordinatorja Dhurata Ramosaj. / KultPlus.com