Claude Monet, gjeniu që habiti botën me artin impresionist

5 Qershor, 2019 - 11:30 am

Bujar Meholli

Kur flitet për impresionizmin në pikturë, vetvetiu na vije në mendje emri i Claude  Monetit, themeltarit të kësaj lëvizje, që më pas pushtoi mbarë botën, pasi paraprakisht qe shpërfillur nga ana e hierarkisë. Impresionizmi, si lëvizje nisi nga një grup artistësh që performonin nëpër rrugë, duke vendosur kavaletën dhe duke kapur pamjet e çastit, të cilat i bënin më pas pjesë të tablove të tyre.

Njëri nga këta artistë ishte Moneti, i cili vërtitej rrugëve të Parisit me kavaletën në dorë, me atë pamjen interesante, mjekër bardhë, i pashëm me ecje të hijshme. Arti i tij kaloi nëpër shumë pengesa, dhe madje u përbuz nga paria e qytetit, pra nga akademikët që e shihnin si jo të denjë për pikturën, e madje mendonin se ai nuk e meritonte të jetë pjesëmarrës nëpër sallonet që mbaheshin atë kohë. Shkurt: arti i Monetit nuk çmohej, e nuk u çmua po thuajse deri sa ishte gjallë.

Claude Monet lindi në Paris, më 14 nëntor të vitit 1840. Rininë e kaloi në Havre, vend në të cilin i ati bënte tregti. Vizatimin e kishte çdoherë preferencë që fëmijë; megjithatë, prindërit donin që ai të shkonte në shkollë të biznesit por nuk e realizuan dëshirën e tyre, sepse i biri ju përkushtua vetëm artit.

I rrethuar nga shumë vështirësi, të llojeve të ndryshme ky djalosh vazhdonte të pikturonte duke mos u dorëzuar në asnjë çast. Në një qytet të madh si Parisi, që gëlonte nga idetë për artin, Moneti u rrek të krijonte diçka interesante, të hapte një faqe të re në art. Pikturat e tij nuk u morën parasysh në fillim, e madje ato asnjëherë nuk u paraqitën në sallonet e kryeqytetit francez. Fuller në veprën e tij, shkruan:

“Një burrë ecën nëpër rrugët e Parisit gjatë ditës, duke mbajtur nën krah një pikturë që kishte provuar ta shiste. Tregtarët nuk donin t’ia blinin, për shkak se ata nuk mund të merrnin pikturën e një artisti, veprat e të cilit nuk ishin pranuar në Sallon”.[1]

Pikturat e Monetit, shprehin ndjeshmëri origjinale duke e vënë në pah kreativitetin individual. Siç e cekëm më sipër, natyra ishte shumë e rëndësishme për impresionistët; Moneti e sheh natyrën si mënyrë me të cilën paraqet metodën e tij të të bërit art. Ngjyrat e shumta që hedh, paraqesin më së miri përshtypjen e tij, ku me bukurinë gërshetohet poezia dhe madhështia e peizazhit plot jetë.

Këto peizazhe që krijon Moneti, posedojnë në vete fuqi të jashtëzakonshme që ndikon direkt tek shikuesi – detajet e thjeshta dhe nganjëherë të pavetëdijshme e honepsin atë. Këtu, është edhe thelbi i artit impresionist.

Në secilën tablo të tij, dominon drita si element kryesor i artit monetian. Kur shihen pikturat e tij, krijohet një atmosferë e veçantë; ato peizazhe me plot gjelbërim rrotull janë të skalitura aq bukur saqë shikuesve të pikturave, iu duket sikur janë aty, në natyrë, duke thithur ajrin e pastër. 

“Nuk është e pranueshme të flitet për veten; pale që në disa pika kujtesa edhe mund të më dështojë. Por ajo që di është se jeta për mua ishte mjaft e vështirë, po ashtu edhe për miqtë e mi. Sa më gjatë që jetoj aq më mirë e kuptoj se sa e vështirë është piktura. Ajo rritet vit pas viti porsi idealet e njeriut që arrijnë lartë dhe kërkojnë interpretim fisnik” – thoshte ai.

Vërtet, për sa kohë që ishte gjallë nuk arriti ta shijojë suksesin e punës së tij, por megjithëse përballej me vështirësi, ai nuk u ndal. Pas vdekjes më 5 dhjetor të vitit 1926, u kthye vëmendja kah arti i tij, dhe sot muzetë gëlojnë nga vizitorët që duan t’i shijojnë tablotë, e nëse njëri syresh dëshiron ta ketë ndonjërën nga to në koleksion, duhet t’i paguajë milionat për ta blerë.

Ai madje shënoi kohët e fundit rekord të ri në shitje, kur tabloja e tij “Mullari” u shit për 110 milionë euro. Këtë pikturë e kishte përfunduar në vitin 1980 si pjesë e serisë së tij Meules (Mullarët) ku përshkruhen rajonet rurale, pranë shtëpisë së tij në Normandi.

Disa nga tablotë e famshme të Claude Monet:

Regatta at Sainte-Adresse

Women in the Garden

Impression, Sunrise

Bain à la Grenouillère

Le Grand Canal

Wheatstacks (End of Summer)

[1] William H. Fuller, Claude Monet and his paintings, New York, 1899. / KultPlus.com

Të ngjajshme