‘Ç’nuk dija që e kisha ditë’, udhëtimi nëpër kohë si dokumentim i realitetit të dikurshëm shqiptar

7 Prill, 2023 - 5:30 pm

Flonja Haxhaj

Mbrëmë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës u hap ekspozita ‘Ç’nuk dija që e kisha ditë’, nga artistja Lala Meredith – Vula dhe kuruar nga Edi Muka, shkruan KultPlus.

Që në hyrje të galerisë, vëmendjen merr mullari i madh, i cili për shumë vite ishte pjesë e pandashme e shumë familjeve shqiptare, e sidomos në ato që jetonin nëpër fshtara. Përveç mullarit, Meredith – Vula ka sjellë nëpërmjet fotografive jetën e dikurshme shqiptare, si një dokumentim që i kishte munguar kombit tonë.

‘Ç’nuk dija se e kisha ditë’ vjen si një udhëtim nëpër kohë ku takon njerëz të thjeshtë, burra, gra, fëmijë e pleq, bashkohesh me rutinën e tyre, me gjendjen e tyre sociale, ekonomike e kulturore, e gjithë ky udhëtim vjen duke u shoqëruar nën tingujt e kompozitorit John Young,

Në hapjen e ekspozitës së saj, ku paraqiti përmbledhje nga puna 30-vjeçare, për KultPlus foli edhe vetë autorja Lala Meredith – Vula, e cila rrëfen lidhjen e veçantë që ka me traditat e vjetra shqiptare.

Mbiemrin Meredith e mori nga nëna e saj e cila ishte angleze, Vula nga babai gjakovar e ndërkaq emrin nga nofka e gjyshes së saj, Lala, e cila viziton shpesh Kosovën, nuk përtoi të vijë nga Anglia për të bërë një kthesë të re e të rëndësishme në dokumentimin e traditave të vjetra shqiptare.

“Mua gjithmonë më kanë bërë përshtypje mullarët e sanës që bëhen në fushë edhe kam njëfarë nostalgjie që është punë e dorës dhe është jashtë  dhe gjithmonë kam pasë dëshirë me i fotografu. Më pas kur jam ftuar nga Galeria e Ministrisë së Kulturës kam vendosur që të bëj një mullar të vërtetë dhe kështu lindi edhe ideja”, tha Meredith – Vula.

E pranishme në këtë ekspozitë ishte edhe piktorja dhe profesoresha e Fakultetit të Arteve, Zake Prelvukaj, e cila e vlerëson lart këtë ekspozitë duke e cilësuar si shumë të rëndësishme në dokumentimin e realitetit të dikurshëm shqiptar, i cili nëse nuk dokumentohet, një ditë do të harohet.

“Është shumë interesant edhe jeta e Lala Meredith Vula, e që ajo prej një terreni ndryshe siç është Anglia, vjen edhe i prek pikat edhe në lartësinë mbidetare, karakteristikat dhe mënyrën e të të jetuarit e të cilën e dokumenton dhe më pas natyrisht që edhë vende të tjera nga të cilat ajo përfshin mullarët. Përveç tjerash edhe mënyra e hamamxhikëve, si janë pastruar, si janë larë, ajo është edhe jeta sociale e grave, jeta ekonomike, rëniet e ngritjet në periudha të ndryshme kohore që diku-diku kanë mbetur si shenjë e asaj e nëse nuk i kishte dokumentuar Lala, ato do të kishin shkuar e harruar dhe nuk do të kishim ditur për shumë gjëra sepse ne nuk jemi treguar shumë të mirë si popull në dokumentimin e gjithçka nga ajo që kemi pasur”,  thotë mes tjerash Prelvukaj për KultPlus, duke shtuar më tutje që ky gërshetim që ka bërë Meredith-Vula, vë në pah një art tejet inteligjent.

 Ndërkaq, ju kujtojmë që ekspozita do të jetë e hapur deri  më 6 qershor./ KultPlus.com

Të ngjajshme