21 Nëntor, 2020 - 5:25 pm
Këto ditë në ambientet e kalasë së Tiranës është hapur ekspozita e një vajze të re me emrin Daklea Boja. Pasioni për pikturën bën që Daklea të sfidojë mjaft probleme me të cilat e ka përballur jeta.
Pikturat e para, Daklea i nisi në moshën 10-vjeçare, kështu që tashmë 20 vjeç ajo ka një koleksion të pasur për t’i ekspozuar dhe për t’u treguar të gjithëve se çfarë fuqie ka pasioni.
Pranë vetes, piktorja e talentuar e cila vuan nga epilepsia, ka pasur gjithnjë njerëz që kanë besuar tek ajo. Punonjësja socjale Anjeza Kolami tregon se Daklea është një fëmijë me nevoja të veçanta, e diagnostikuar në moshën pesëvjecare me epilepsi dhe si rezultat i kësaj sëmundje ajo e ka të dëmtuar shikimin dhe dëgjimin në masën 50 për qind. Nuk do të mjaftonte vetëm me kaq por para 8 muajsh ajo është diagnostikuar edhe me kancerin e gjirit.
Daklea arrin të gjejë dëshirën dhe pasionin për jetën vetëm nëpërmjet pikturës, të cilën e vlerëson si një mënyrë të veçantë për të komunikuar me botën. Ajo nëpërmjet artit të saj dhe ekspozitës që ka hapur këto ditë ka për qëllim të godasë e të pastrojë pluhurin e shpirtit të trazuar.
Daklea më tepër arrin të gjejë frymëzim tek portretet, peizazhet të cilat bien edhe më tepër në sy në këtë ekspozitë.
Sociologia Anjeza Kolami shprehet gjithashtu se “ne duhet të jemi shumë mbështetës dhe inkurajues për të gjithë artistët në përgjithësi dhe specifikisht për këta fëmijë me nevoja të veçanta që kanë kaq shume nevojë për suport dhe për mbështetje”. Ajo thotë se ata kanë nevojë për një dorë që t’i tregojë atë rrugëtimin e gjatë që i pret, por duhet t’i inkurajojmë për t’i treguar asaj që ajo ka vlera dhe ajo ka vërtet vlera artistike të paçmueshme.
Si çdo artist që sapo ka nisur rrugëtimin e tij të gjatë drejt artit edhe Daklea aspiron që një ditë të ketë një ambient të përshtatshëm ku ajo të mund të realizoj pikturat të cilat janë burimi i frymëzimit të saj.
“Kam afërsisht 10 vite, që nga mosha 11 vjeë dhe deri tani. Kam talent le të themi por e kam edhe për pasion. Dua të flas për gjendjen shpirtërore nëpërmjet një peme apo luleje të cilat janë kaq të brishta dhe të bukura, të cilat kanë një gjendje kaq të butë edhe brenda në karakter dhe kjo del në pah edhe nga teknika me të cilën unë punoj. Për mua kjo është ekspozita e parë që kam hapur me punët e mia. Po ashtu kemi lule, portrete dhe unë kam shumë deshirë që të hap edhe një atelie timen dhe të mësoj edhe fëmijë të tjerë të vegjël që të vizatojnë”, shprehet vetë Daklea./atsh/ KultPlus.com