10 Shkurt, 2018 - 11:02 am
Alberina Haxhijaj
Shkyçni telefonat. Ata do të purifikohen. Vendosni mbi tavolinë të rrethuar me gurë nga një vullkan që ka shpërthyer ne Greqi. Mbyllni sytë. Pini disa gllënjka nga ‘Pija magjike’. Fantazoni.
Ishin këto disa veprime nga rituali hapës në galerinë Lambdalambdalambda, të realizuara nga Angleo Plessas para hapjes së ekspozitës “The anchor of my own landscape” nga artisti Dardan Zhegrova.
Në të hapur të ekspozitës të pranishmit mund të vazhdonin hulumtimin e tyre drejtë ëndrrave, fantazive, iluzioneve dhe mendimeve, pasi pikërisht artisti Zhegrova kishte sjellë përmes ekspozitës së tij një përzierje në mes realitetit dhe imagjinatës.
“Jam bazuar se si njerëzit por edhe shoqëritë e përziejnë realitetin me imagjinatën dhe si ndërtojmë ide të reja në bazë të këtyre përzierjeve. Kur jemi keq ose kur na mungon diçka, ne fillojmë me e imagjinu prezencën e dikujt ose diçka që kemi nevojë. Në një mënyrë kështu i gjithë realiteti është një imagjinatë ose ëndërr”, u shpreh Dardani për KultPlus duke theksuar se nuk është reale vetëm ajo që është fizikisht e pranishme por edhe që mendojmë apo besojmë.
Punimet e tij të realizuara së bashku më nënën e tij qëndronin në njëfarë mënyre si jastëkë apo edhe si re, të varura duke simbolizuar se diçka është në ajër, është imagjinatë, është iluzion. Është pikërisht nëna e tij ajo e cila ka bërë që punimet e tij të veçohen për shkak të përdorimit të tekstilit.
“Jam rritur nëpër pëlhura pasi që mami është rrobaqepëse edhe ka qepur tërë kohën. Domethënë kjo në mu ka ndikuar që me ja nis me mendu në këtë formë dhe me punu me tekstil. Edhe këto punime i kemi çep së bashku me mamin. Por kohëve të fundit kam filluar me e përdor edhe xhamin i cili për mua e jep idenë e imagjinatës, që mendimi është transparent. Është në një farë mënyrë inekzistencë. E në të njëjtën kohë këto gravimet që janë në xham janë në një farë mënyre çka ka lënë mbresë në kujtimet ose në imagjinatën tonë”, u shpreh artisti duke treguar për KultPlus se pikërisht xhami është një lloj metafore fizike e mendimit.
Vizatimet të cilat ishin paraqitur në këtë ekspozitë, artisti i ka realizuar kohë pas kohë dhe janë momente reale të cilat i kanë ndodhur por që atë situatë ai e ka paraqitë më fiktive. I tillë është edhe gravimi ku mund të shihen dy mace në stacion të trenit.
“Aty jemi ndjerë si dy mace edhe atë e kam vizatuar. Edhe skenat tjera janë reale por kanë edhe elemente që kanë hy prej imagjinatës, por që për mua kanë qenë qysh edhe i kam imagjinuar”, thekson Zhegrova duke treguar se janë pikërisht elementet nga jeta e përditshme dhe njerëzit afër tij që krijojnë esencën e krijimeve të tij.
“Temën për ëndrrat me sy hapur – ‘daydreaming’, unë jam duke e vazhduar, zhvilluar dhe duke e hulumtuar. Definitivisht mendoj që këto punë kanë me qenë edhe nëpër vende të tjera. Mirëpo më duhet që të pres që me e pa njerëzit edhe nuk mundem me thënë diçka saktë pasi që jam duke diskutuar me galeritë e tjera dhe akoma nuk ka diçka të caktuar, shpresoj që kanë me u shfaqë këto punë edhe në vende të tjera”, përfundoi artisti Dardan Zhegrova, ekspozita e të cilit do të qëndrojë e hapur deri më 7 prill.
Zhegrova është fitues i Ekspozitës Çmimi Gjon Mili, ndërsa bashkë me Lola Sylajn fituan para disa kohësh qëndrimin rezidencial në New York, pasi triumfuan në Çmimin Artistët e Së Nesërmes. / KultPlus.com