14 Shkurt, 2019 - 7:01 pm
Sonte ai do të performojë në Paris, ndërsa edhe një pjesë e krijimtarisë së tij artistike do të dalë para syve të parizienëve.
Artisti Dardan Zhegrova sonte prej orës 20:00 do të performojë në hapjen e ekspozitës ‘Owner of a lonely heart’ në kryeqytetin francez, kuruar nga Anastasia Krizvanovska dhe organizuar nga Mathilde Expose.
Zhegrova ka treguar për KultPlus se sonte ekspozitën do ta hapë ai me serinë e poezive ‘Lucky Pierre: Nothing gonna save us now’ të cilat i ka prezantuar edhe në Prishtinë dhe në lokacione të tjera.
Brenda në ekspozitë, Zhegrova do ta shfaqë një prej kukullave voodoo dolls – atë me ngjyrë të argjendtë ndërsa vjen edhe videoja e serisë Automatic – në të cilën ai punon që nga viti 2014-të, me titullin ‘I wish a dream and dream a wish’.
Pos Zhegrovës, në ekspozitë do të marrin pjesë edhe artistët Julian Farade, Richard Sides, Alicia Tsigarides, Manuel Vieillot. Pas performancës së Zhegrovës do të ketë edhe lexim të poezive, gjatë hapjes.
Zhegrova është ndër artistët e rinj më premtues në Kosovë. Zhegrova ka qenë pjesëmarrës i disa ekspozitave në vend dhe jashtë vendit. Bashkë me Lola Sylajn, Dardani është fitues i Çmimit ‘Artistët e së Nesërmes’.
Një ndër mediumet më të përdorura nga artisti është videoja. Krijimtaria artistike e Dardanit ka në fokus mishërimin, përkthimin dhe transformimin e gjuhës në përmbajtjen vizuale, me elementin e emocionit të përdorur si medium artistik që potencialisht vepron si mjet për të eksploruar sferën e intimes dhe të të shprehurit. / KultPlus.com