21 Tetor, 2019 - 6:30 pm
Xhemile Hysenaj
Arti e njeh vetëm një gjuhë, atë të shpirtit. Shpesh, arti nuk ka nevojë për fjalë, për të thënë atë që priret të thotë.
Albana Ejupi, artiste nga Kosova, e cila po debuton me artin e saj edhe jashtë vendit, kësaj radhe arti i saj zë vend në Vjenë të Austrisë. , shkruan KultPlus.
Vienna Contemporary është ngjarja më kryesore e kulturës në Vjenë , ku të gjitha galeritë si ato vieneze dhe ato jashtë saj, prezantojnë artistë të selektuar.
Ekspozita ”Human Condition”, ka për bazë çështjen njerëzore. Aty ku dhimbja, dashuria e sakrifica bëhen bashkë për të shfaqur njerëzoren, për të shpalosur ndjenjat e fuqishme që flejnë në brendësinë e secilit.
Alban Ejupi, përmes punimeve të saj tenton të kuptoj se çfarë do të thotë të jesh njeri, sepse sipas saj të jesh njeri është shumë më shumë se ajo çfarë njeriu i paraqet botës dhe të tjerëve.
”Studimet e mia për trupin e njeriut – të liruara nga tabutë sociale, kufizimet e të gjitha gjërat që konisderohen të turpshme nga shoqëria- e shtrojnë gjendjen njerëzore për diskutim. Ata eksplorojnë tema si mosha, kujtesa, dashuria, emocionet, sfidat, dhimbja, plagët dhe shërimi, shtatzënia, seksualiteti, identiteti etj”, shprehet autorja për KultPlus.
Ajo çfarë autorja e konsideron thelbësore për artin e saj, është ta përdorë atë si një instrument që thellohet në aspektet shpirtëore, sociale e politike të natyrës njerëzore. Ku për realizimin e pikturave të saj përdor shtresa të materialeve të ndryshme si kanavacë, letër dhe dru, me rërë deti dhe lloje të ndryshme të tekstileve.
”Punimet e mia pasqyrojnë rolin e gruas si bartëse të fertilitetit dhe krijues të jetës në përgjithësi. Kjo nënkupton ekzaminimin jo vetëm të aspekteve simbolike të feminitetit, por edhe ambienteve biologjike siç janë menstruacionet ose seksi”, potencoi ajo për KultPlus.
Një seri e pikturave të saj, përshkruajnë të dashuruarit në pozicione të ndryshme, disa tek mbrojnë njëri tjetrin e disa që bashkohen për të krijuar një qenie të vetme.
Ndërsa, një pjesë tjetër paraqet portrete, kryesisht njerëz të moshuar, ku në pamje të parë portretet e fytyrave të tyre mund të duken të papërfunduara, por është një paraqitje që mashtron pasiqë paraqitet koha si një ide që i gërryen fytyrat e tyre, duke i lënë të papërfunduara në mënyrëqë të shfaqet thelbi i karakterit të protagonistit, të mbetet vetëm ajo që në të vërtetë ka rëndësi si kujtimet, mendimet, përvojat etj.
”Human conditions”, është ekspozita e tretë me radhë e autores. Albana Ejupi ka qenë pjesëmarrëse edhe në ekspozita tjeraa, si në Vienë, Paris e Gjermani.
Mirëpo, kjo është ekspozita e saj e parë personale, ku pritet të shpalos punën e saj një vjeçare para publikut vienez.
Hapaj e ekspozitës bëhet më datë 24 tetor, për të qenë e hapur më pas për publikun deri më datë 30 nëntor të këtij vitit. /KultPlus.com